Legjenda e basketbollit ballkanik dhe ish-trajneri i Prishtinës, Damir Mulaomeroviq, tashmë në krye të Dinamo Zagrebit, ka folur ekskluzivisht për AsistiOnline.com në prag të ndeshjes së sontme mes Prishtinës dhe Dinamos në kuadër të ENBL League.
Në një intervistë plot emocione, Mulaomeroviq rikujtoi me mall periudhën e tij në krye të skuadrës kryeqytetase, ndërsa u ndal edhe te përballja e veçantë që e pret ndaj trajnerit aktual të Prishtinës, Michalis Kakiouzis.
“Si trajner, nuk jemi përballur më parë. Por si lojtarë, po, ai luante për AEK Athinën. Ishte një lojtar shumë i mirë dhe po bëhet një trajner i shkëlqyer. Po bën një punë të mirë,” u shpreh Mulaomeroviq.
Ai foli edhe për sfidën e sontme, duke e cilësuar Prishtinën si skuadër favorite:
“Prishtina ka ndërtuar një ekip të fortë, me shumë lojtarë të mirë. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të luftojmë. Kemi ardhur këtu për të dhënë maksimumin. Për momentin kemi disa probleme me lojtarin tonë Imran Polutak, i cili nuk mundi të hyjë në Kosovë, por shpresoj që të arrijë. Megjithatë, Prishtina është favorite – kanë cilësi dhe përbërje të shkëlqyer. Do të duhet të japim gjithçka për të fituar këtu,” shtoi trajneri i Dinamos.
Kujtojmë që Mulaomeroviq ka një histori të veçantë me basketbollin kosovar, pasi gjatë drejtimit të tij me Prishtinën në sezonin 2018/19, arriti rezultate historike në arenën evropiane, duke e çuar skuadrën deri në fazën “Top 16” të FIBA Europe Cup.
Ndeshja mes Prishtinës dhe Dinamo Zagrebit zhvillohet sonte nga ora 19:00 në palestrën “13 Qershori” dhe transmetohet drejtpërdrejt në Artmotion./AsistiOnline.com/




