KB Trepça Mitrovicasit mund të bëjë një lëvizje interesante në tregun e transferimeve.
Sipas burimeve të AsistiOnline.com, klubi i KB Trepça ka shprehur interes për amerikanin Jericole Hellems, i cili mund të bashkohet me ekipin në vazhdim të sezonit.
Interesimi i Trepçës vjen pas largimit të Cedric Russell, duke bërë që klubi të kërkojë një zëvendësim të denjë për pozitën e tij. Emri i Hellems duket se është një nga opsionet kryesore në listën e mitrovicasve.
Hellems është emër i njohur për basketbollin kosovar, pasi sezonin e kaluar ishte pjesë e KB Vëllaznimit, ku u dallua me paraqitje të shkëlqyera dhe ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës gjakovare.
Pas aventurës në Superligën e Kosovës, ai këtë vit ka qenë pjesë e një skuadre në Hungari, ndërsa tani mund të rikthehet sërish në parketet kosovare – kësaj here me fanellën e gjelbërt të Trepçës.
Nëse marrëveshja finalizohet, Hellems pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për Trepçën në vazhdën e garave në Superligë. /AsistiOnline.com/




