Basketbollisti Muhamed Janjeva ka njoftuar sot përmes një postimi në rrjetet sociale se nuk është më pjesë e klubit Sigal Prishtina.
Në mesazhin e tij drejtuar tifozëve, bashkëlojtarëve dhe miqve të klubit, Janjeva shkroi se ndarja nuk ka ardhur si rezultat i një dëshire të tij, por si pjesë e rrugëtimit profesional që e detyron të ndjekë hapa të rinj në karrierë.
“Dua t’ju njoftoj se nga sot nuk jam më pjesë e klubit Sigal Prishtina. Edhe pse kjo ndarje erdhi si rezultat i një procesi që nuk e kam dëshiruar, e respektoj plotësisht rrugëtimin tim profesional dhe jam i detyruar të vazhdoj drejt hapave të rinj në karrierë”, shkroi ai.
Janjeva falënderoi klubin dhe tifozët për mbështetjen gjatë kohës që ishte pjesë e Prishtinës, duke theksuar se qyteti dhe klubi i kanë dhënë shumë në çdo aspekt, si sportist dhe si njeri.
“Me zemër të pastër, ju uroj ekipit suksese dhe shpresoj që një ditë të kem mundësinë t’ua shpaguaj dashurinë dhe mbështetjen tifozëve,” përfundoi ai.
Ende nuk dihet se ku do të vazhdojë karrierën Janjeva pas largimit nga Prishtina. /AsistiOnline.com/




