Ish-lojtari i Trepçës, Michael Myers, është bërë zyrtarisht me ekip të ri.
Qendra amerikane është transferuar te skuadra turke Buyukçekmeçe, pjesë e elitës së basketbollit në Turqi, ku aktualisht punon edhe trajneri kosovar Andin Rashica.
Buyukçekmeçe e prezantoi Myersin sot, duke konfirmuar kështu bashkimin e tij me klubin që po synon rritje në kampionatin turk pasi aktualisht gjendet i fundit me 6 humbje nga 6 ndeshje.
Myers vjen nga një sezon i suksesshëm në Kosovë, ku u shpall kampion me Trepçën dhe ishte ndër figurat kyçe në rrugëtimin e mitrovicasve drejt titullit.
Ky transferim shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke e çuar drejt një prej kampionateve më të forta në rajon. /AsistiOnline.com/


