Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut vazhdon politikën e saj aktive të përforcimit me lojtarë të natyralizuar, teksa ka bërë dy shtesa të rëndësishme në prag të ndeshjeve parakualifikuese për EuroBasket 2029.
Pas përfundimit të ciklit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, Federata e Basketbollit të Maqedonisë ka arritur të sigurojë shërbimet e dy lojtarëve amerikanë, të cilët vijnë direkt nga skena e Euroligës: Nate Sestina dhe Omari Moore.
Ky hap vjen si vazhdimësi e strategjisë së nisur vite më parë, kur ekipi natyralizoi emra si T.J. Shorts, Jacob Wiley e Ethan Happ të cilët kanë qenë pjesë kyçe e kombëtares në kompeticionet e kaluara.
28-vjeçari Nate Sestina ka pasur një ngritje të vazhdueshme në basketbollin europian. Pas aventurës së tij me Türk Telekom më 2022, ai bëri hapin e madh drejt Fenerbahçe në verën e vitit 2023, duke hyrë në Euroligë. Më pas, ai luajti për Valencian, ndërsa një muaj më parë u bashkua me Olimpia Milanon. Sestina mbulon pozicionet 4 dhe 5, dhe konsiderohet një shtesë shumë e vlefshme për Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa, 25 vjeçari Omari Moore u shqua sezonin 2024–25 me Darushfakën në Turqi, ku regjistroi mesatare mbresëlënëse: 15.7 pikë, 5.3 kërcime dhe 5.5 asistime për ndeshje. Verën e kaluar ai arriti kulmin e karrierës ku firmosi me Valencian, me të cilën fitoi Superkupën e Spanjës dhe ka spikatur në ndeshjet e para të sezonit të EuroLigës. Atletizmi dhe versatiliteti i tij pritet të sjellin dimension të ri në përfaqësuesen maqedonase.
Te Maqedonia e Veriut thuajse rregullisht ftohen edhe dy shqiptarët e Iliridës: Lejson Zeqiri e Valmir Kakruki.
Sestina dhe Moore, së bashku me të natyralizuarin tjetër amerikan Jacob Wiley, do të jenë të gatshëm për të debutuar në dy ndeshjet e para të Maqedonisë së Veriut në dritaren FIBA të nëntorit: 27 nëntor – Maqedonia e Veriut vs Azerbajxhani (Shkup) dhe 30 nëntor – Irlanda vs Maqedonia e Veriut (Dublin).
Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut po vazhdon qasjen e saj të qartë: të sjellë lojtarë me përvojë europiane të nivelit të lartë për të ngritur ambiciet dhe konkurrencën në arenën ndërkombëtare. /AsistiOnline.com/




