Under Header

spot_img

VËLLAU I MADH APO I VOGËL?

Kush do ta fitoj përballjen e pestë Shqipëri – Kosovë (2:2) dhe të parën zyrtare

spot_img

AGON FEHMIU

Në vitin 1996, Shqipëria dhe Kosova u takuan për herë të parë si ekipe të dy republikave të pavarura.

Ktë të diel në Shkodër nga ora 18:00, 30 vite më vonë dhe pas 4 ndeshjeve miqësore e vëllazërore, dy shtetet tona të pavarura do ta zhvillojnë përballjen e parë zyrtare në kuadër të FIBA-së.

Palestra Qazim Dervishi në Shkodër do të jetë vendi ku do të zhvillohet kjo ndeshje historike e vlefshme për parakualifikimet e Grupit C për Eurobasketin 2029. Veç Kosovës e Shqipërisë, në grupin C gjendet edhe Sllovakia e cila të enjtën mposhti Shqipërinë me rezultat 73:63.

Nga pranimi i Kosovës në FIBA me 13 Mars 2015, është kjo ndeshja e 45-të zyrtare dhe e para përball vëllezërve tanë.

Gjatë këtyre 10 viteve, Kosova në 44 ndeshje zyrtare ka shënuar 10 fitore e 34 humbje.
Dardanët kanë zhvilluar edhe 6 ndeshje miqësore me 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje.
Në total, miqësore e zyrtare, Kosova ka zhvilluar 50 ndeshje me bilanc prej 11 fitoreve, 38 humbjeve dhe 1 barazimi

Sikurse thash, hiç ato gjashtë duelet miqësore, kjo është ndeshja e 45-të zyrtare dhe e para kundër vëllezërve nga Shqipëria, në kuadër të para-kualifikimeve për Eurobasketin 2029.

Deri tash, Shqipëria dhe Kosova janë takuar 4 herë dhe rezultati është i barabartë (2:2).
Viti 1996 ishte përballja e parë, viti 2000 përballja e dytë, viti 2008 përballja e tretë dhe viti 2010 përballja e katërt, të gjitha miqësore dhe festive dhe ja, këtë të diel të 30 nëntorit 2025, pas gati 30 viteve dhe 4 ndeshjeve vëllazërore dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova po ndeshen për herë të parë në mënyrë zyrtare.

HISTORIA E DUELEVE SHQIPËRI – KOSOVË (2:2)

NDESHJA E PARË (19.06.1996) SHQIPËRIA – KOSOVA 111:80
Me 19 Qershor 1996 , para gati 30 viteve, Shqipëria dhe Kosova u takuan për herë të parë
Të udhëhequr nga ish kryetari i FBK-së tashmë i ndjeri Belul Beqaj dhe Besim hasani kryetar i KOK-ut, delegacioni në të cilin ishin edhe i ndjeri Tajar Rifati, Fadil Dobroshi, Veton Kajtazi, Blerim Vuniqi, Valdet Spahiu e Ibrahim Karabegu, me kapiten selektorin e sotëm Bujar Locin, pastaj Dardan Kasapolli, Arben Gorani, Genc Sallabegolli, vëllezërit Valon e Valdet Grapci, Arianit Shala, Artan Mehmeti, Arben Krasniqi, Arben Agai, Sokol Osmani dhe Eroll Pepiqi, pas një udhëtimi të rrezikshëm , duke kaluar ilegalisht kufirin te Hani i Hotit në Mal të Zi që asokohe ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, ekipi ynë mbijetoi të shtënat e ushtrisë kufitare ish-jugosllave dhe duke i shpëtuar më të keqes, arritën në Tiranë ku Shqiptarët e Kosovës realizuan ëndrrën e kahershme që të luajnë në Shqipëri.

Duelin e parë e fitoi Shqipëria me rezultat 111:80 kurse në atë ndeshje për Kosovën u dallua tandemi Arben Agai dhe Arben Krasniqi.

Arben Agai njëri prej talenteve më të mëdhenj që ka pasur Kosova ndonjëherë, asokohe kur Cibona ka qenë gjigant evropian, kishte kaluar 1 vit në Zagreb dhe në përballje me Shqipërinë kishte shënuar 15 pikë kurse Arben Krasniqi, më vonë selektori i parë i Kosovës pas pranimit në FIBA, kishte kontribuar me 18 pikë.

Valon Grapci 14, Arianit Shala 9, Arben Gorani 6, Artan Mehmeti 4, Sokol Osmani 2, Valdet Grapci 2, Eroll Pepiqi 2,

I përmenda të gjithë këta burra sepse e meritojnë sepse sot, rinia as që mund ta paramendojë se në çfarë kushtesh është zhvilluar basketbolli në Kosovë asokohe dhe sa sakrifica është dashur të bëhet në mënyrë që ky sport të mbijetoi, në mënyrë që sot të vijmë në ktë ditë kur një ndeshje e basketbollit të jetë festë.

NDESHJA E DYTË (28.11.2000) KOSOVA – SHQIPËRIA 85:84

Ndërkohë, ndodhi lufta, Ushtria çlirimtare e Kosovës së bashku me NATO-n luftuan për liri dhe e dëbuan nga Kosova okupatorin gjenocidal serb dhe menjëherë pas luftës, për hir të Ditës së Flamurit, me 28 nëntor 2000, dy shtetet vëllazërore në Prishtinë, zhvilluan ndeshjen e parë në liri dhe të dytën në përgjithësi.

Kësaj here, pas një dueli dramatik i cili u vendos në sekondën e fundit, Kosova për herë të parë dhe të fundit doli në epërsi në sekondën e fundit dhe fitoi me rezultat minimal 85:84.

Për Kosovën u paraqitën , Bujar Loci, Naim Hajrizi, Arben Krasniqi, Artan Mehmeti, Dradan Kasapolli, Bekim Maxhuni, Valentin Spaçi, Florian Miftari, Fikret Shatri , Valon e Valdet Grapci dhe Besim Braha. Përzgjedhës I Kosovës ishte prof. Masar Nixha ndërsa trajner Valdet Spahiu.

Te Kosova në atë fitore u dalluan Artan Mehmeti me 22 pikë, Florian Miftari me 17 dhe Valon Grapci me 11 kurse te Shqipëria tandem Bledar Xheqaj dhe i ndjeri Sokol Jahollari me nga 23 pikë secili, kurse Afrim Bilalli, ish selektori i kuqezinjve deri më 2023 , kontribuoi me 11 pikë. Duhet theksuar se përzgjedhës i Shqipërisë ishte profesori i nderuar Bujar Shehu.

NDESHJA E TRETË PËR NDER TË SHPALLJES SË PAVARËSIS (21.02.2008)
KOSOVA – SHQIPËRIA 67:71

Dueli i tretë erdhi vetëm 3 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me 21 Shkurt 2008 kur nën patronatin e Hashim Thaqit, kryeministrit që e shpalli pavarësinë e Kosovës, dy ekipet tona u takuan përsëri në Prishtinë për ta kremtuar realizimin e ëndrrës shekullore.
Kjo ishte ndeshja e parë ndërkombëtare e Kosovës së Pavarur dhe po bëhej me Shqipërinë.
Në ktë duel festiv, Shqipëria triumfoi me rezultat 71:67 kurse MVP i duelit me 21 pikë të shënuara u shpall selektori aktual i Shqipërisë, Erkand Karaj me 21 pikë të realizuara

NDESHJA E KATËRT (31.07.2010) KOSOVA – SHQIPËRIA (101:84 / 86:86)

Dhe dueli i katërt dhe i fundit midis dy shteteve tona u zhvillua më 31 korrik 2010 në kuadër të “Turneut ndërkombëtar veror” i cili u organizua në Prishtinë, me kërkesën e Kombëtares shqiptare në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Evropianit 2011 ku mori pjesë edhe kombëtarja e Emirateve të Bashkuara Arabe të cilën Kosova e mposhti thellë (127:58).

Ndeshja e katërt midis Kosovës dhe Shqipërisë shkoi në vazhdime pasi pjesa e rregullt u mbyll baras 86:86 kurse pas 5 minutave shtesë Kosova triumfoi me rezultat 101:94 dhe rezultatin e përgjithshëm të ballafaqimeve midis dy shteteve tona vëllazërore e barazoi në 2:2.

Duhet theksuar se në atë përballje për Shqipërinë kishte luajtur edhe basketbollisti shqiptar më i famshëm i gjitha kohëve, Ermal Kuqo që me leje speciale nga Federata Turke e Basketbollit, karrierën e tij e mbylli në shtetin amë.

Pra, adhurues të basketbollit, ndeshja e të dielë është përballja e pestë midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe e para zyrtare.

Për herë të parë në histori, 15 vjet pas duelit të fundit kur rezultati u barazua në 2:2,në Qazim Dervishi të Shkodrës, dy ekipet tona shtetërore, dy vëllezërit, po ballafaqohen në një duel zyrtar, për herë të parë.

Si zakonisht, nga viti 2000 e deri më sot, gjitha ngjarjet historike basketbollistike kosovare do të përcillen nga asistues i juaj Agon Fehmiu i cili do ta komentoj këtë duel historik.

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme