Bora ka arritur një fitore me shumë peshë në udhëtim, duke mposhtur Rahovecin 029 në xhiron e tetë të Superligës së Kosovës.
Për skuadrën prishtinase, kjo ishte fitorja e dytë e sezonit, ndërsa vreshtarët vazhdojnë të mbeten në kërkim të stabilitetit.
Ndeshja nisi me ritëm më të mirë të vendasve, por Bora e mori shpejt kontrollin dhe krijoi epërsi që nuk e lëshoi deri në fund. Çereku i parë dhe i dytë ishin vendimtarë për mysafirët, të cilët shënuan më shumë, luajtën me disiplinë dhe menaxhuan më mirë tranzicionin (11–23, 26–25). Edhe pas pushimit, skuadra prishtinase vazhdoi me qasje solide, duke e fituar çerekun e tretë 16–21, ndërsa i fundit u mbyll 12–16.
Te Rahoveci u dalluan Amin Hot me 19 pikë, Adem Mekiç me 14, si dhe Tyler Cheese me 11 pikë. Edhe Jetmir Zeqiri dhe Shaquan Jules kontribuan me nga 10 pikë secili, por nuk mjaftuan për të përmbysur ritmin e mysafirëve.
Në anën tjetër, Bora u mbështet fuqishëm te paraqitja e Julian Roche, i cili përfundoi ndeshjen me 16 pikë dhe 14 kërcime, duke qenë figura kyçe e takimit. Përkrah tij, Isaiah Umipig regjistroi 14 pikë, duke qetësuar lojën në momentet kur Rahoveci tentoi të afrohej.
Pas kësaj ndeshjeje, Rahoveci ka bilanc 3–5, ndërsa Bora ngjitet në 2–6, duke e bërë garën edhe më të ngushtë në zonën e poshtme të tabelës.
Në xhiron e ardhshme, Rahoveci 029 pret Bashkimin, ndërsa Bora luan në shtëpi ndaj Prishtinës. /AsistiOnline.com/


