Në javën e nëntë të Superligës së Kosovës, GO+ Peja ka marrë një fitore të rëndësishme në udhëtim, duke mposhtur Golden Eagle Yllin me rezultat 82:63.
Sfida e zhvilluar në palestrën “Karagaçi” solli lojë dinamike dhe momente të forta nga të dy ekipet, por në fazat kyçe ishin pejanët ata që ruajtën qetësinë dhe kontrolluan ndeshjen deri në fund.
GO+ Peja e nisi më mirë takimin, duke fituar periudhën e parë 18:13, ndërsa çereku i dytë u karakterizua me shumë baraspeshë, duke u mbyllur 26:24 në të mirë të mysafirëve, që shkuan në pushim me epërsinë 44:37.
Ylli u gjallërua në fillimin e pjesës së dytë dhe arriti ta përmbysë rezultatin në 47:46, por vetëm përkohësisht. Pas atij momenti, GO+ Peja u organizua më mirë në të dyja fazat e lojës dhe mori kontrollin, duke dominuar minutat e fundit të çerekut të tretë dhe gjithë periudhën e katërt për të siguruar një fitore të qartë 82:63.
Në aspektin individual, Trevon Allen ishte më i dalluari te Ylli me 20 pikë dhe pesë kërcime. Në anën tjetër, Tajh Green shkëlqeu për pejanët me 15 pikë dhe plot 17 kërcime, ndërsa Jordan Johnson kontribuoi me 16 pikë dhe gjashtë asistime.
Pas kësaj ndeshjeje, Golden Eagle Ylli mbetet me dy fitore e shtatë humbje, kurse GO+ Peja forcon pozitën e saj të lartë në tabelë me shtatë fitore dhe vetëm dy humbje. /AsistiOnline.com/


