Ekipet e Superligës së Kosovës në basketboll po përballen me situata të ndryshme sa i përket lëndimeve, teksa disa skuadra kanë mungesa të rëndësishme, ndërsa të tjera po presin rikthimin e lojtarëve kyç në xhirot e ardhshme.
Sigal Prishtina prej kohësh është skuadra që aktualisht ka më së shumti probleme.
Të lënduar janë Daniel Lekndreaj, Arian Azemi dhe së fundmi edhe Dion Haxhosaj dhe Deondre Burns, të cilët vazhdojnë të mungojnë.
Te Trepça, dy lojtarë të rëndësishëm, Drilon Hajrizi dhe Jacori Payne, janë jashtë për shkak të lëndimeve, por të dy pritet të rikthehen në përbërje në vazhdim.
Bashkimi vazhdon të mos llogarisë në shërbimet e Kyan Anderson, i cili mbetet i lënduar dhe do të mungojë edhe në ndeshjet e radhës.
Te Vëllaznimi vazhdon të mungojë Rron Dahsyla, rikthimi i të cilit pritet të ndodh shpejtë.
Situata te Bora është më e favorshme, pasi Adem Mekiç pritet të rikthehet pas lëndimit dhe të jetë në dispozicion për stafin teknik e mungesa të tjera nuk ka.
Te GO+ Peja, mungesat janë të ndara. Dardan Berisha pritet të mungojë edhe më tutje, ndërsa Arti Hajdari është pranë rikthimit dhe mund të jetë gati në xhirot e ardhshme.
Edhe Golden Eagle Ylli ka pasur mungesë të rëndësishme, pasi Trevon Allen në xhiron e fundit ka qenë i lënduar, por rikthimi i tij pritet së shpejti.
Ndërkohë, Rahoveci 029 është e vetmja skuadër që aktualisht nuk raporton asnjë lëndim dhe ka të gjithë lojtarët në dispozicion.
Ekipi më i prekur
Bazuar në numrin e mungesave dhe rëndësinë e lojtarëve jashtë fushës, Sigal Prishtina del të jetë ekipi më i prekur nga lëndimet në këtë fazë të kampionatit, me disa mungesa prej kohësh sidomos ai i Lekndreajt dhe Azemit, që po ndikojnë drejtpërdrejt në rotacion dhe vazhdimësinë e skuadrës. /AsistiOnline.com/


