Federata e Basketbollit të Maqedonisë ka zyrtarizuar emërimin e trajnerit spanjoll Josep Berrocal në krye të përfaqësueses së meshkujve, pas vendimit të marrë nga Bordi Drejtues i kësaj federate.
Berrocal vjen me një përvojë të pasur shumëvjeçare në basketbollin evropian. Ai numëron mbi 35 vjet përvojë, prej të cilave 21 vite në basketbollin profesional, si dhe 14 vite eksperiencë në Euroligë, kompeticioni më prestigjioz i klubeve në Evropë.
Gjatë karrierës së tij si trajner kryesor dhe ndihmës, Berrocal ka fituar 21 trofe, mes tyre edhe dy tituj të Euroligës, duke u bërë pjesë e disa prej projekteve më të suksesshme në basketbollin kontinental. Ai ka punuar në 13 liga të ndryshme kombëtare, në nëntë shtete, çka e rendit ndër trajnerët më me përvojë ndërkombëtare në Evropë.
Në CV-në e tij figurojnë klube të mëdha evropiane si Barcelona, Panathinaikos, Baskonia, Maccabi, Bayern, si dhe angazhime në kampionate të forta kombëtare, përfshirë ACB-në spanjolle, ligën izraelite, turke, ukrainase, si dhe garat evropiane të nivelit më të lartë.
Gjatë rrugëtimit të tij profesional, Berrocal ka bashkëpunuar me emra të njohur të basketbollit botëror si Svetislav Pešić, Xavi Pascual dhe Duško Ivanović, duke forcuar më tej reputacionin e tij si trajner me profil të lartë profesional.
Përveç punës me ekipet seniore, ai njihet edhe për kontributin e madh në zhvillimin e lojtarëve të rinj, me rreth 15 vjet përvojë në kategoritë e moshave, përfshirë edhe fitimin e dy titujve kampionë në Spanjë me ekipet U18. Metodologjia e tij e punës përshkruhet si e strukturuar, e disiplinuar dhe e orientuar drejt zhvillimit afatgjatë.
Berrocal në këtë post zëvendëson Marjan Ilievskin (ish trajner i Prishtinës e Rahovecit), i cili dha dorëheqje nga posti i trajnerit kryesor javën e kaluar, pas vetëm gjashtë muajsh në krye të përfaqësueses maqedonase. /AsistiOnline.com/


