Ndeshja e javës së 17-të në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit ka marrë vëmendje edhe jashtë Kosovës, duke u pasqyruar edhe në mediat sportive të Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas raportimeve të mediave boshnjake, në qendër të vëmendjes është vënë trajneri i Trepçës dhe ish-selektori i përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës, Adis Beçiragiq, për shkak të reagimit të tij ndaj një vendimi të gjyqtarëve gjatë ndeshjes.
Siç shkruhet, Beçiragiq ka reaguar ashpër pas një vendimi arbitrar, duke hyrë në parket dhe duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj gjyqtarit kryesor të takimit. Ky veprim ka shkaktuar reagime të shumta në sallë dhe është komentuar gjerësisht edhe në opinionin sportiv në Bosnjë e Hercegovinë.
Pamjet e incidentit janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur diskutime të shumta rreth gjykimit në ndeshjet e rëndësishme të kampionatit kosovar.
Mediat boshnjake po ashtu theksojnë se pas këtij rasti janë shtuar kritikat ndaj nivelit të gjykimit në Superligën e Kosovës, me thirrje që Federata e Basketbollit e Kosovës të shqyrtojë mundësinë e angazhimit të gjyqtarëve të huaj deri në fund të sezonit.
Pritet që organet kompetente të dalin me një reagim zyrtar në ditët në vijim lidhur me këtë incident, shkruan Sportske.ba


