Prania e referëve të huaj në fazën më të rëndësishme të kampionatit mbetet një nga temat më të diskutuara në basketbollin kosovar.
Edhe këtë sezon, play-off-i po zhvillohet nën drejtimin e dy gjyqtarëve ndërkombëtarë +1 vendor, me synimin për të rritur nivelin e gjykimit dhe për të shmangur kontestet, shkruan AsistiOnline.com
Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se kritikat nuk po ndalen, as ndaj referëve vendorë dhe as ndaj atyre të huaj.
Vendimet e diskutueshme, reagimet e klubeve dhe debatet pas ndeshjeve vazhdojnë të jenë pjesë e përditshme e kësaj faze, duke ngritur pyetjen: Nëse pakënaqësitë janë të njëjta, atëherë ku qëndron dallimi real midis angazhimit dhe mos angazhimit të referëve të huaj?
Në këtë kontekst, vëmendje të veçantë ka marrë edhe emri i Ademir Zurapoviç. Gjyqtari boshnjak, i njohur për përvojën e tij ndërkombëtare, si gjyqtar i FIBA-s, që ka referuar në Eurobaskete, Botëror e Olimpiada, është një nga ata që tash e tri vite, angazhohet rregullisht në ndeshjet e “Play-off”-it në Kosovë.
Megjithatë, një detaj që po diskutohet gjithnjë e më shumë është fakti se Zurapoviç nuk gjykon në kampionatin e shtetit nga vjen. Ai është i angazhuar kryesisht në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, garë kjo e organizuar nga FIBA, ndërsa në garat tjera evropiane nuk është i deleguar. Ky realitet ka shtuar dilemat në opinionin sportiv, duke ngritur pyetje mbi kriteret e përzgjedhjes dhe arsyet e angazhimit të tij në Kosovë.
Përkrahësit e kësaj praktike vazhdojnë të theksojnë se përvoja ndërkombëtare është një vlerë e shtuar për ndeshjet vendimtare. Por kritikët argumentojnë se, nëse vendimet vazhdojnë të kontestohen njësoj, atëherë kjo qasje nuk po sjell ndryshimin e pritur.
Në anën tjetër, mbetet e hapur edhe çështja e zhvillimit të referëve vendorë, të cilët vazhdojnë të mbesin jashtë skenës kryesore në momentet më të rëndësishme të sezonit.
Në mungesë të një sqarimi zyrtar nga FBK, të cilës AsistiOnline i’u është drejtuar me shkrim dhe pyetje konkrete (jemi ende në pritje të përgjigjeve zyrtare), dilemat vazhdojnë: A është kjo një zgjedhje për cilësi më të lartë, apo një tregues i mungesës së besimit ndaj gjyqtarëve vendorë?
Ndërkohë, “Play-off”-i vazhdon të sjellë ndeshje të forta dhe interes të madh, por paralelisht edhe debate të vazhdueshme për drejtësinë në parket – një çështje që, siç duket, nuk po gjen ende përgjigje të qartë. /AsistiOnline.com/



