KB Trepça ka bërë hapin e parë drejt titullit të kampionit, pasi triumfoi ndaj KB Bashkimi me rezultat 94:79 në ndeshjen e parë të serisë finale të “Play-off”-it.
Në palestrën Minatori mbretëroi atmosferë elektrizuese, derisa skuadra mitrovicase, e përkrahur fuqishëm nga tifozët vendas, arriti të kontrollojë ritmin e lojës në momentet vendimtare dhe ta nisë finalen me fitore të rëndësishme.
Takimi ishte i baraspeshuar në çerekun e parë, por “Xehetarët” shpërthyen në periudhën e dytë, ku krijuan diferencën kryesore që më pas e menaxhuan deri në fund të sfidës.
Më meritorët për triumfin e Trepçës ishin Mustapha Amzil me “double-double” prej 21 pikësh e 13 kërcimesh, Kenneth Hasbrouck që shtoi 22 pikë, si dhe Dardan Kapiti me 16 pikë dhe gjashtë kërcime. Në anën tjetër, te prizrenasit u veçua Shannon Shorter me 27 pikë të realizuara.
Me këtë fitore, Trepça kalon në epërsi 1:0 në serinë finale, ndërsa përballja e dytë do të zhvillohet të mërkurën, sërish në “Minatori”. Titulli i kampionit do t’i takojë skuadrës që arrin katër fitore në seri.



