Basketboll

LARGIME TË SHUMTA TË LOJTARËVE TË HUAJ NGA SUPERLIGA E KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Ende pa përfunduar gjysmëstinori i parë në Superligën e Basketbollit të Kosovës, klubet tona kanë filluar me ndryshime të dukshme në rosterin ekipor të tyre, shkruan AsistiOnline.com

Ndryshimet kryesisht me lojtarë të huaj i kanë prekur shumicën e ekipeve kosovare, të cilat nuk kanë qenë të kënaqura me disa nga transferet e bëra dhe kanë vendosur të sjellin risi në ekipe.

Ekipi që deri tani ka larguar më së shumti lojtarë, është Rahoveci që me ardhjen e trajnerit të ri, ka bërë ndryshime radikale në ekip. Nga “vreshtarët” janë larguar, L.J Booth, Justin Gray, Jure Gunjina, Rafael Tsourakis si dhe vendori Muhamed Hasani, ndërsa këtyre largimeve mund t’ju shtohet edhe Chris Bradford. Ndërsa në ekip janë shtuar zëvendësimet për disa prej tyre.

Largime ka pasur edhe tek Sigal Prishtina, lojtarët si, Jonathan Janssen, Shea Feehan e Dardan Berisha janë larguar nga ekipi, por që deri më tani nuk janë zëvendësuar me lojtarë të rinjë.

Skuadra tjetër që ka bërë ndryshime në ekip është, Ponte Prizreni. Ekipi i drejtuar nga Arbnor Rifati, deri tani ka larguar nga skuadra dy lojtarë, A.J Sanders dhe Bennet Holley, por që të njejtit janë zëvendësuar menjëherë dhe sipas informacioneve që posedon AsistiOnline.com këto nuk pritet të jenë ndryshimet e fundit tek prizrenasit.

Ndryshimet e kanë prekur edhe Golden Eagle Yllin, që ka larguar poashtu dy lojtarë të huaj. Bëhet fjalë për, Anthony Adger dhe Jalen Perry, që të dy ardhje të huaja. Por që të dy janë zëvendësuar.

Edhe Trepça ka bërë ndryshime në skuadër me lojtarët e huaj. Mitrovicasit kanë larguar nga skuadra, Collin Kennedyn dhe Andrew Smithin, që janë zëvendësuar me një ardhje të re.

Lista vazhdon me ekipet që kanë larguar vetëm nga një lojtar dhe një ndër to është Peja, që ka larguar nga skuadra fundorin e huaj, Jamicheal Morgan por që e ka zëvendësuar menjëherë.

Ndryshime janë bërë edhe te Feronikeli, që ka larguar nga ekipi, amerikanin Tyron Garland dhe e ka zëvendësuar me një lojtar tjetër.

Dhe valën e këtyre largimeve e mbyll Marquise Simuels i Lipjanit, që është larguar nga skuadra e fundit në tabelë. Por që deri më tani, tek lipjanasit nuk është gjetur zëvendësuesi i tij.

Skuadra e vetme që deri më tani nuk ka pësuar ndryshime në skuadër është Bashkimi. Prizrenasit nuk kanë larguar asnjë lojtarë, ndërsa pritet të përforcohen me një lojtarë të huaj të pozitës qendër.

Kjo listë e lojtarëve të huaj të larguar nga ekipet kosovare, në ditët e ardhshme mund të rritet dhe AsistiOnline.com do t’ju mbajë të informuar ekskluzivisht për të gjitha lëvizjet në merkaton e transfereve në basketbollin kosovar, andaj qëndroni me ne.

Komentet janë të mbyllura.