Basketboll

SENZACION NË PRIZREN: FERONIKELI SHTON GJASAT PËR MBIJETESË

Prishtinë(AsistiOnline) – Përkundër se hyri në ndeshje si autsajdere, skuadra e Feronikelit ka arritur fitore senzacionale në mbyllje të stinorit vjeshtor në elitën e basketbollit kosovar.

”Industrialistët” kanë arritur të mposhtin në udhëtim, skuadrën e Bashkimit pas vazhdimeve me rezultatin 91-93.

Çereku i parë ishte i barabartë por që për një noancë të vogël vendasit ishin më të mirë dhe përfundoi 25:24 për prizrenasit. Megjithatë, në periudhën e dytë, skuadra nga Drenasi ishte më e mirë dhe fiton 15:22.

Perioda e tretë ishte gjithashtu e baraspeshuar, derisa përfundoi 14:16 për Niklin. Në periudhën e fundit, Bashkimi është këndellur dhe basketbollistët prizrenas kanë dhënë maksimumin në fushë, duke arritur të kalojnë në epërsi 70:69, por Feronikeli nuk është dorëzuar dhe pas një lojë të barabartë, fituesi është dashur të vendoset në vashdime, pasi koha e rregullt përfundoi 77:77.

Lojë shumë interesante u zhvillua edhe në pesë minutat e radhës, ku kishte shumë kthesa në rezultat dhe asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej në epërsi. Sidoqoftë, tetë sekonda para fundit, Garland shënoi tre pikësh dhe Feronikeli triumfoi me rezultat 91:93.

Corey Ross ishte më i dalluari te Bashkimi me 32 pikë, tetë kërcime dhe tri asistime, kurse te Feronikeli më i dalluari ishte Tyron Garland me 42 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime.

Bashkimi e përfundon stinorin vjeshtor me 11 fitore dhe pesë humbje, kurse Feronikeli me pesë fitore dhe 11 humbje.

 

Komentet janë të mbyllura.