Basketboll

PRISHTINA-YLLI, PËRBALLJA E EKIPEVE PËR TITULL

Prishtinë(AsistiOnline) – Padyshim që njëra ndër përballjet kryesore të xhiros 27 në Superligën e Basketbollit të Kosovës zhvillohet nesër në kryeqytet.

Bëhet fjalë për sfidën në mes të Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Ylli, ekipe të cilat po e synojnë titullin e kampionit të garës. Me Prishtinën që ka 17 fitore e 6 humbje dhe me Yllin që numëron 16 fitore e 7 humbje. Prishtina me trajnerin e ri Konstantinites i cili është zyrtarizuar në stolin e kryeqytetasve dje. Në anën tjetër Ylli me ardhjen e bujshme, Vander Blue dhe Artin Gashin e rikthyer.

Prishtinasit dhe Therandasit sivjet janë takuar tre herë, ku në dy përballjet e para që ishin në kuadër të kampionatit, triumfoi Prishtina, në anën tjetër në çerekfinale të Kupës, triumfoi ekipi i Yllit.

Në përballjen e parë më 11 Dhjetor 2019 në kryeqytet, Prishtina mposhti Yllin me rezultatin 92-84. Në atë përballje tek Sigal Prishtina u patën dalluar: Fahro Alihoxhiq me 29 pikë e 7 kërcime si dhe Divine Myles me 20 pikë e 10 kërcime, ndërsa te mysafirët u patën dalluar dyshja Jameel McKay me 20 pikë e 14 kërcime dhe Valon Bunjaku me 21 pikë e 8 kërcime.

Në ndeshjen e dytë të zhvilluar në ”13 Qershori” të Therandës edhe aty triumfoi Sigal Prishtina, prishtinasit mposhtën vendasit e Yllit me rezultatin e ngushtë, 79-82. Në një ndeshje ku për Prishtinën shkëlqyen lojtarët e njejtë nga ndeshja e parë, Divine Myles me 26 pikë, 3 kërcime e 8 asiste, si dhe Fagro Alihoxhiq me 20 pikë, 18 kërcime si dhe 2 asiste. E te Ylli, Samir Zekiqi me 24 pikë e 8 kërcime, ishte më i spikaturi, por 16 pikë e 11 kërcime shtoi edhe tashmë i larguari Jameel McKay.

Dhe revanshi i Yllit erdhi tek në çerekfinale të Kupës, duke i shkaktuar kryeqytetasve njërën ndër disfatat më të pakëndshme viteve të fundit me rezultatin, 69-64. Në këtë sfidë, Fahro Alihoxhiq ishte më i dalluari te Sigal Prishtina me 10 pikë e 13 kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli, shënuesi më i mirë ishte Samir Zekiqi me 13 sosh.

Nga dueli i fundit, tek Prishtina ka pasur ndryshime të shumta në skuadër. Për dallim nga dy ndeshjet e para, janë larguar Divine Myles, Dardan Berisha, Jonathan Wade, Jonathan Janssen, Shea Feehan ndërsa kanë ardhur Jordan Johnson, Anthony Goods dhe Dewayne Jackson.

Edhe te Ylli ka pasur ndryshime të theksuara, nga ekipi janë larguar: Altin Morina, Anthony Adger, Arben Camaj, Alante Fenner, Keith Frazier, Jameel McKay, Jalen Perry, e Mike Thorne. Ndërsa ardhje të reja, Vander Blue e Artin Gashi, Devonte Browen e Terrell Everett.

Para sfidës së nesërme, për AsistiOnline.com ka folur edhe fundori amerikan i Prishtinës, Jordan Johnson:

”Ndeshja me Yllin do të jetë e vështirë, ne kemi mposhtur ata dy herë në Ligë, ndërsa herën e fundit na mposhtën në Kupë. Andaj duhet të kemi kujdes nga ta”, nënvizoi Johnson.

 

 

 

Ndërsa optimist për sfidën e nesërme u shfaq edhe Terell Everet i Yllit, ai u prononcua shkurtimisht për AsistiOnline.com:

”E njohim Prishtinën tejet mirë, së fundi kanë marrë edhe trajner të ri, ne udhëtojmë për fitore atje”, tha Everet para nisjes së sfidës.

 

 

 

Sa i përket lojës së Prishtinës sivjet, kryeqytetasit në 26 ndeshjet e zhvilluara deri tani, kanë 88.1 pikë për ndeshje. Për dy pikë kanë një % prej 56.7 dhe për tre pikë janë tejet dobët 33.3%.

Në anën tjetër, Ylli ka një mesatare më të lartë se Prishtina prej 88.9 për ndeshje, edhe për dy pikë janë më të saktë me 57.2% dhe për tre pikë vetëm 31.0% pra më të dobët.

Pas 26 xhirove, Prishtina gjendet në pozitën 1, me bilanc 17 fitore, 6 disfata. Në anën tjetër, Ylli gjendet në pozitën 3 me bilanc 16 fitore, 7 disfata.

Ndeshja nisë të shtunën nga ora 19:00 dhe transmetohet direkt në Platformën më atraktive në vendin tonë, Art Motion(Art Sport 1).

Komentet janë të mbyllura.