Basketboll

PA-PA SPALDING, MIRË SE U KTHEVE WILSON !

PAS 37 VJETËSH NBA I KTHEHET TOPIT TË PARË (1946-83) I CILI U ZËVENDËSUA NGA SPALDING (1983-2021)

(AsistiOnline)

 

Mbreti ka vdekur! Rroftë mbreti i ri!

Spaldingu i thotë lamtumirë NBA sepse topi zyrtar i NBA nga edicioni 2021/22 do të jetë Wilson.

 

Në fakt, NBA po i kthehet dashurisë së parë sepse nga themelimi i ligës në vitin 1946  deri më 1983, Wilson ishte topi i parë zyrtar i NBA.

 

 

“Partneriteti me kompaninë Wilson na kthen tek rrënjët tona ndërsa jemi duke planifikuar të ardhmen e NBA” tha Salvatore LaRocca, presidenti i departamentit të NBA për partneritet global me rastin e zyrtarizimit të këtij lajmi. LaRocca bëri të ditur se kontrata e Spaldingut i cili ka qenë top zyrtar nga 1983 me NBA skadon dhe palët janë marr vesh që të mos e vazhdojnë bashkëpunimin prandaj vitin e ardhshëm, në përvjetorin e 75-të të themelimit, NBA do t’i kthehet rrënjëve të veta: Wilsonit

Me ardhjen e David Stern në krye të NBA, komisionieri legjendar i cili bëri revolucion dhe e shndërroi NBA në njërin prej brendeve më të mëdha botërore, një nga lëvizjet e para ishte nënshkrimi i kontratës me Spalding-un për prodhimin e topit zyrtar të NBA. Kështu, pas 37 vjetësh si top zyrtar i NBA, në vitin 1983 Wilson u zëvendësua me Spalding.

Për ironi, dashuria ndërmjet të NBA dhe Spaldingut zgjati po aq sa ajo e para dhe tash pas 37 viteve NBA i kthehet rrënjëve, sërish yjet e NBA do të përgatisin mrekullitë e tyre me topin Wilson .

Topi i ri do të prodhohet nga lëkura e njëjtë si kjo aktuale dhe me specifikime të njëjta mirëpo inxhinierët dhe disenjatorët e Wilsonit do të bashkëpunojnë ngushtë me NBA dhe NBPA (Shoqata e Lojtarëve të NBA) duke krijuar një Bord Këshillues i cili do të jap sugjerime dhe do të marr pjesë direkt në krijimin e topit të ri Wilson për NBA

“Angazhimi ynë për të rritur lojën e basketbollit në skenën globale është në zemër të Wilson dhe partneritetit tonë të ri me NBA” kishte deklaruar Kevin Murphy, Menaxher i Përgjithshëm i kompanisë Wilson Basketball.

 

Aktualisht, Wilson është top zyrtar i NCAA ndërsa në të ardhmen, përveç se do të rikthehet si top zyrtar i NBA, me të do të zhvillohen edhe garat në WNBA, NBA G League, NBA 2K League dhe BAL (Basketball Africa League).

Po ashtu, Wilson prodhon edhe topin zyrtar të FIBA 3×3 që është më i veçanti nga të gjithë të tjerët pasi është i madhësisë 6 por me peshë të topit të madhësisë 7 dhe ka ngjyrat më unike dhe karakteristike.

 

 

Kthimin historik të Wilsonit në NBA do të mund ta shikoni LIVE dhe ekskluzivisht ku tjetër veç se në ASIST dhe ARTMOTION, adresën e vërtet të basketbollit në venin tonë

 

Komentet janë të mbyllura.