Basketboll

SPECIALE: NË KUJTIM TË DRAZHEN PETROVIQIT

23 VJET NGA VDEKJA E MOZARTIT TË BASKETBOLLIT EVROPIAN E DIEL, 7 QERSHOR 1993, ORA 17:20: PUSHOI SË RRAHURI ZEMRA E BASKETBOLLISTIT MË TË MIRË EVROPIAN TË GJITHA KOHËVE

(AsistiOnline) – Njëzet e shtatë vjet më parë, në këtë ditë, më 7 Qershor po ashtu ditë e diel, saktësisht në ora 17:20 pushoi së rrahuri zemra e njërit nga basketbollistët më të mirë evropianë të gjitha kohëve, Drazhen Petroviqit. “Mozarti” i basketbollit evropian vdiq tragjikisht në fatkeqësi komunikacioni, vetëm pesë muaj para se të mbushte plot 29 vjeç.

Rrëqethëse është se, po këtë ditë  i skadonte afati i letërnjoftimit i cili i ishte lëshuar me 7 Qershor 1983.

 

24 orë pasi luajti në fanellën e ekipit kombëtar të Kroacisë në turneun kualifikues për Eurobasket 1993, përzgjedhësi i atëhershëm Mirko Novosel dhe ekipi po e pritnin Drazhenin, deri në momentin e fundit për të hipur në aeroplan për t’u kthyer në Zagreb por ai vendosi t’i shfrytëzoj disa ditë pushimi për t’i kaluar me të dashurën e tij Klara Szalanty, një ish basketbolliste dhe modele gjermane.Drazheni në momentin e fundit vendosi që të ndryshoj marsh-rutën. Ishte ky një vendim i kobshëm.

Pas ndeshjes së fundit në turneun kualifikues në Poloni, Drazheni edhe pse ishte regjistruar të hipte në aeroplan dhe të fluturonte përsëri me ekipin për Zagreb, kur kapiteni i fluturimit njoftoi se aeroplanit i mungonte një pasagjer, Aleksandar Petroviqi, vëllai më i madh i Drazhenit dhe ndihmës trajneri i Novoselit, informoi të pranishmit se pasagjeri i cili po mungonte ishte vëllai i tij Drazheni  dhe se ai kishte bërë plane tjera. Ishte kjo një ditë me stuhi dhe shi të fortë.

Rrugës për në Munih, ishte e dashura e Drazhenit, modelja Klara Szalantzy ajo e cila ngiste makinën,  një Volkswagen Golf me ngjyrë të kuqe ndërsa Mozarti i basketbollit po flinte në ulësen e përparme të pasagjerit, pa rripin e sigurisë të vendosur.

Rreth orës 17:20 sipas kohës qendrore evropiane, një kamion i cili po vinte nga drejtimi i Holandës, duke e shmangur një makinë që ia kishte prerë rrugën, kishte humbur kontrollin në rrugën e lagësht të Autostradës nr. 9 dhe duke thyer barrierat që ndajnë dy drejtime, kishte dal në anën e kundërt duke bllokuar të tri korsitë. Shoferi i kamionit kishte zbritur dhe duke tundur me duar të ngritura lartë  po sinjalizonte makinat të ngadalësohen.

Në ato momente, në drejtim të kamionit po afrohej Golfi i kuq të cilin po e ngiste Klara Szalantzy, me shpejtësi  të madhe. Drazheni po flinte në ulësen e përparme kurse shoqja e Klarës, turkja Hilal Edebal një basketbolliste e re dhe e talentuar që luante pë Universitetin e Niagarës, ishte ulur prapa. Kur Szalantzy vërejti kamionin përpara saj, ajo frenoi, humbi kontrollin dhe u përplas furishëm në kamion. Sipas raportit policor, Szalantzy po drejtonte veturën me shpejtësi prej 180 kilometrave në orë, në një rrugë shumë të lagësht dhe me dukshmëri të ultë.

E dashura e Drazhenit, Klara Szalantzy kishte kohë të mjaftueshme vetëm sa për të shmangur pjesën e majtë të makinës duke shpëtuar jetën e saj. Ajo kaloi vetëm një javë në spital dhe u lirua pa pasoja për shëndet. Më vonë u bë gruaja e futbollistit të famshëm gjerman dhe botëror , Oliver Bierhoff.

Shoqja e saj Edebal e cila ishte në pjesën e prapme, nga fuqia e goditjes u hodh në ulësen e, duke pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trurin e saj, duke thyer krahun dhe ijën e djathtë. Ajo mbeti në komë një kohë të gjatë dhe si pasoj e aksidentit, për gati një dekadë kishte humbur kujtimin.

Ndërsa, Drazhen Petroviqi i cili në momentin e përplasjes nuk mbante rripin e sigurisë, fluturoi nëpër xhamin e përparmë të veturës dhe u përplas në kamion. Sipas raportit të aksidentit, Drazheni në dorë po mbante një orë ari e cila u ndal saktësisht në momentin e aksidentit: 17:20.

 

 

Punëtorët e shpëtimit u përpoqën në mënyrë të dëshpëruar për ta ringjallur Petroviqin mirëpo goditja dhe trauma e kokës ishte vdekjeprurëse. Pesë muaj para ditëlindjes së tij të 29-të, Drazheni vdiq si rezultat i plagëve të marra. Mozarti i basketbollit evropian nuk ishte më.

 

 

 

 

 

TREGIMI TRAGJIK I DRAZHEN PETROVIQIT (EVROPIANI I PARË – YLL NË NBA)

 

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.