IN MEMORIAM: 27 VJET NGA VDEKJA E MOZARTIT TË BASKETBOLLIT EVROPIAN
KUSH ISHTE DRAZHENI ?
Drazhen Petroviqi u lind më 22 tetor 1964 në Shibenik të Kroacisë. Ai la gjurmë të thella në klubet evropiane: Shibenka, Cibona dhe Real Madrid. Më pas, kaloi Oqeanin Atlantik dhe shkoi në NBA ku luajti për Portland Trailblazers dhe New Jersey Nets.
“Mozarti” ishte kampioni i Evropës me Cibonën e Zagrenit në vitet 1985 dhe 1986. Me po këtë klub fitoi edhe Kupën e Fituesve të Kupave të Evropës në vitin 1987, kampionatin Jugosllav më 1985 dhe tri kupa shtetërore (1985, 1986 dhe 1988). Ai e fitoi Kupën e Fituesve të Kupës edhe me Realin në vitin 1989, kur shënoi 62 pikë në ndeshjen e fundit. Në të njëjtin vit fitoi edhe Kupën e Mbretit në Spanjë.
Me kombëtaren e shtetit të dikurshëm, Jugosllavinë, fitoi medalje të arta në Kampionatin Evropian në 1989 dhe një vit më vonë në Kampionatin Botëror. Ai fitoi një medalje argjendi në Lojërat Olimpike të vitit 1988 dhe medalje bronzi në Lojërat 1984 dhe Kampionatet Evropiane të 1987-ës.
DRAZHEN PETROVIQI – MOZART I BASKETBOLLIT
Pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe pas njohjes së Kroacisë nga Kombet e Bashkuara si shtet sovran, në periudhën e luftimeve më të rrepta kundër hordhive serbe dhe ushtrisë së mbetur të ashtuquajtur “jugosllave”, Drazheni hyri në legjendë si anëtarë i kombëtares olimpike kroate e cila në finale të Lojërave Olimpike “Barcelona 1992” u përball me Dream Team-in e udhëhequr nga Michael Jordan.
Ishte ky ekip i cili ta fuste frikën në palcë.
Toni Kukoqi e Dino Ragja, Perasoviqi, Cvjetiqanini, Arian Komazeci, Alanoviqi, qendrat Arapoviq, Tabak e Vrankoviqi , të udhëhequr nga Drazheni kishin përball legjendat e NBA dhe më të mirët në histori të këtij sporti, yjet si Larry Bird e Magic Johnson, Charles Barkley, qendrat legjendare si David “Admirali” Robinson, Patrick Ewing e Karl Malone, Scottie Pippen, John Stockton, Clyde “The Glyde” Drexler e Chris Mullin të prirë nga MJ. Të gjithë i frikësoheshin kësaj skuadre por jo edhe Drazheni me shokët e tij.
Do të mbahet në mend se Kroacia ishte skuadra e vetme e cila në këtë olimpiadë arriti që, kundër mega-yjeve të Dream Teamit të krijoi epërsi dhe t’i destabilizoi.
Megjithatë në fund, Jordani dhe shokët e tij që e patën “bahçe” deri në finale, u desh të djersitën mirë e mirë për të fituar atë takim dhe medaljen e artë.
Kroacia pësoi nga ekipi më i mirë në histori të basketbollit botëror dhe fitoi medalje argjendi por e cila për Kroacinë kishte shkëlqim të artë.
KROACIA – SHBA , DRAZHEN PETROVIQI KUNDËR MICHAEL JORDANIT DHE DREAM TEAM-IT (NDESHJA KOMPLETE)
Ndërsa Drazheni? – Drazheni e përfundoi ndeshjen me 24 pikë të shënuara si koshashënuesi më i mirë i finales duke shënuar 2 pikë më shumë se Lartëajrësia e tij, Jordani.
NË KUJTIM TË DRAZHEN PETROVIQIT: DRAZHENI KUNDËR DREAM TEAM-IT
Drazheni kishte aso mentaliteti që nuk e bënte hesap as Jordanin, as Magic-un, askënd. Kur hynte në duele me “inat” atij i terrohej dhe ishte thjesht i pandalshëm. Duelet direkte të “Mozartit të Basketbollit Evropian”, Drazhen Petroviqit dhe “Lartëajrësisë së tij”, Michael Jordanit kanë hyrë në antologji të basketbollit botëror
DRAZHEN PETROVIQI 1X1 ME MICHAEL JORDANIN [DUELET MË TË MIRA]
7 QERSHOR 1993, 17:20 … DITË E KOBSHME!
Me 7 Qershor 1993, ditë e diel, saktësisht në ora 17:20, Drazhen Petroviqi humbi jetën tragjikisht dhe kështu, duelet direkte ndërmjet tij dhe MJ u ndalën.
Me 7 Qershor 1993, ditë e diel, saktësisht në ora 17:20, pushoi së rrahuri zemra e njërit nga basketbollistët më të mirë evropianë të gjitha kohëve, “Mozartit” të basketbollit evropian, Drazhen Petroviqit, evropianit të parë i cili u bë YLL NË NBA.
Fanellën me numër 3 në New Jersey Nets (Brooklyn Nets) më nuk do ta vesh askush sepse ajo përjetësisht i takon, Petro-së i cili e ndryshoi përgjithmonë qasjen ndaj basketbollistëve evropian në NBA
Komentet janë të mbyllura.