AUSTRIA ORGANIZON KUALIFIKIMET OLIMPIKE TË FIBA 3×3 PËR ”TOKIO 2021”
(AsistiOnline) – Turneu kualifikues i FIBA 3×3 për Lojërat Olimpike Tokio 2021, është vendosur të zhvillohet në Graz të Austrisë më 26–30 Maj të 2021-tës, ka njoftuar dje FIBA 3X3, përcjellë AsistiOnline.com
Njoftimi për ngjarjen në fjalë u bë në Ditën Olimpike në një konferencë për shtyp në qytetin e Grazit me ç’rast, përpos krerëve të basketbollit austriakë dhe FIBA, prezent ishte edhe zëvendës-kancelari i Austrisë njëherësh Ministri i Sportit, Werner Kogler.
Duke theksuar se kjo do të jetë ngjarja e parë e madhe e FIBA 3×3 e organizuar në shtetin e Austrisë, zëvendës-kancelari Kogler njoftoi se fusha në të cilën do të zhvillohen kualifikimet do të jetë e ndërtuar në bazë të “konceptit të gjelbër” për mbrojtjen e ambientit nga ndotja.
“Fokusi i qeverisë sonë në sport është promovimi i trendit të organizimit të ngjarjeve sportive në ambiente të hapura, që janë ekologjike dhe synojnë mbrojtjen e natyrës. Turneu Kualifikues Olimpik i FIBA 3×3, në një mënyrë unike bashkon modernen dhe kombinon modernitetin dhe qëndrueshmërinë “tha ministri Kogler.
Në emër të FIBA-së, Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës Kamil Novak tha se Austria vendosi një standard të lartë që në organizimin e parë të garave FIBA 3×3 në këtë shtet.
“FIBA është e lumtur që rruga drejt Lojërave Olimpike do të kaloi nëpër sheshin Hauptplatz, që është ikonë dhe simbol i Grazit dhe se autoritetet austriake janë zotuar ta organizojnë këtë ngjarje duke përdorur materiale ekologjike, duke e ruajtur ambientin dhe kjo ngjarje do të jetë unike në histori të organizimeve të FIBA 3×3 dhe është plotësisht në përputhje me konceptin tonë në të ardhmen duke organizuar gara të 3×3 me theks në mbrojtjen e ambientit” tha Novak.
40 ekipe (20 në konkurrencën e meshkujve dhe 20 të femrave) që vijnë nga 36 vende të ndryshme, do të garojnë në Kualifikimet Olimpike FIBA 3×3 për 6 pozita (nga 3 për gjini) që dërgojnë në Tokio.
Austria u bë kryetitull i lajmeve të FIBA 3×3 në 2019 pasi meshkujt përfunduan në vendin e 6-të të FIBA 3×3 Kupës së Evropës kurse femrat fituan medaljen e argjendtë në Kupën Botërore të Universiteteve – FISU 3×3.
Presidenti i Federatës së Basketbollit të Austrisë, Gerald Martens me këtë rast u shpreh i lumtur që Austria ka fituar organizimin e një turneu të tillë të FIBA 3×3.
“Jemi të lumtur që kemi mundur ta sjellim këtë turne të shkëlqyer në Austri. Kjo u jep ekipeve tona të suksesshme kombëtare një shans historik për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike pasi do të ishin sporti i parë ekipor austriak që do të kualifikohej në olimpiadë pas ekipit kombëtar të hendbollit të femrave në Sydney 2000” u shpreh i gëzuar Martens.
Organizatorët që tashmë po e presin me padurim ngjarjen, do ta ndërtojnë një fushë të hapur dhe të përkohshme, me një kapacitet prej 2.000 ulëseve për shikues, njofton FIBA.
Kryebashkiaku i Grazit, Siegfried Nagl theksoi se basketbolli 3×3 është sport i shpejtë, emocionues, argëtues dhe frymëzues ndërsa, kualifikimet olimpike të FIBA 3×3 do të jenë kulmi i vitit sportiv të Grazit në 2021.
Guvernatori i Krahinës Styria, Drexler theksoi se, përkundër faktit se Austria nuk ka përvojë dhe është e re në organizimin e ngjarjeve kulmore të FIBA 3×3 megjithatë, Grazi dhe Provinca Styria në veçanti kanë krijuar një përvojë të madhe në organizimin e ngjarjeve sportive të nivelit të lartë botëror.
“Lista e ngjarjeve kulmore ndërkombëtare në Austri është shumë e gjatë. Kampionate Evropiane e Botërore në Ski Alpin dhe Ski Nordik, Kërcime me Ski, pastaj garat e Kupës Davis në tenis, gara të Formula 1 dhe Moto GP, e shumë e shumë gara tjera. Prandaj jemi të kënaqur që kualifikimet Olimpike të FIBA 3×3 – 2021 do të mbahen në krahinën Styria” tha Drexler
Në turneun final të olimpiadës në Tokio 2021, do të garojnë gjithsejtë 16 ekipe, nga 8 në të dyja konkurrencat, meshkuj e femra :
– 8 prej tyre (4 në secilën gjini) janë kualifikuar tashmë më 1 nëntor 2019 bazuar në Renditjen e FIBA 3×3.
– 6 bileta shtesë (3 për secilën gjini) do të fitohen në turneun Kualifikues Olimpik FIBA 3×3 në Graz 2021.
– 2 biletat e fundit (1 në secilën gjini) do të fitohen në turneun e Kualifikimit Olimpik të Universiteteve të FIBA 3×3 në Budapest, Hungari në një datë e cila do të bëhet e ditur më vonë.
T’ju rikujtojmë se Përfaqësuesja e Kosovës 3X3 me 29 dhe 30 qershor të vitit të kaluar bëri debutimin historik në kualifikimet për FIBA 3X3 Europe Cup 2019 në Kontanca të Rumanisë, duke arritur që në renditjen finale t’ua kaloj shteteve që janë fuqi në këtë sport: Rumanisë, Turqisë, Andorrës por edhe Azerbajxhanit dhe Irlandës.
Kosovën, në kualifikimet historike për FIBA 3×3 Europe Cup në Konstanca të Rumanisë e përfaqësuan kapiteni me Altin Sahiti, Arti Hajdari, Arian Mehmeti dhe lojtari më i mirë i ranguar në Kosovë për 2019, Albatrit Berisha.
Ekipin e udhëhoqi koordinatori Agon Fehmiu dhe në fund, Kosova mbylli kampanjën kualifikuese historike në FIBA 3×3 Europe Cup 2019 në Konstanca të Rumanisë me një humbje dhe një fitore duke u renditur e 6-ta.
Sivjet, është dashur të marrim pjesë përsëri në kualifikimet për Kupën e Evropës të FIBA 3×3 dhe atë përsëri në Konstanca prej nga 2 ekipet e para do të kualifikoheshin për turneun final FIBA 3×3 Europe Cup 2020 që sivjet është dashur të organizohet në Antwerp të Belgjikës por për shkak të pandemisë COVID19 është anuluar.
Komentet janë të mbyllura.