Basketboll

DONÇIÇ FLET PËR RIFILLIMIN E STINORIT NË NBA

Prishtinë(AsistiOnline) – Njëri ndër basketbollistët më në formë në NBA sivjet, slloveni Luka Doncic ka folur sot për rifillimin e stinorit në ligën më të fortë të basketbollit në botë.

Luka Doncic foli për shtyp, një muaj para se të ndodhë rikthimi i NBA-së, konkretisht në korrik dhe ai u shfaq me shpresë për vazhdim të sezonit në Florida.

Asnjëherë nuk kam hezituar. Më ka munguar shumë basketbolli, kështu që thjesht kam dashur të luaj. Nuk kishte asnjë pyetje për mua. Unë gjithmonë kam dashur të luaj”, u tha ai mediave të enjten.

21-vjeçari Doncic më pas në njëfar forme e korrigjoi edhe trajnerin e tij tek Dallasi, Jure Drasklar i cili në muajin e kaluar foli në lidhje me formën fizike të Doncic pas karantinës, i cili deklaroi se Doncic nuk ka qenë në formën më të mirë dhe të cilit, Doncic iu përgjigj me sa vijon:

“E pashë çfarë tha trajneri, por sinqerisht thjeshtë nuk u interesova shumë sepse e di se në çfarë forme jam. Mendoj se jam në gjendje të mirë. Unë thjesht do të përmirësohem derisa të fillojnë lojërat në Orlando”, tha Doncic.

Doncic gjithashtu komentoi kiminë e ekipit dhe si do mund ta rikthenin atë duke shkuar përsëri në aksion për finalen e sezonit. “Ne kemi kimi mjaft të mirë. Ne thjesht nuk kemi luajtur shumë ndeshje së bashku. Por do të vazhdojë të rritet çdo lojë, çdo ditë, duke praktikuar dhe luajtur”.

Krejt në fund, Doncic tha se do jetë e vështirë për NBA-në pasi lojërat do të luhen pas dyerve të mbyllura dhe kjo ndikon keq sigurisht.

Sinqerisht, nuk e di sepse nuk e kam provuar kurrë këtë gjë. Do të jetë më e keqja, sigurisht Më pëlqejnë shumë fansat në palestër. Ndërsa kundërshtarët tanë kur luajnë në shtëpinë tonë, gjithmonë ka zhurmë. Do të jetë e çuditshme, kështu që unë nuk e di se si do të ndihem”, përfundoi prononcimin e tij, Doncic.

 

Komentet janë të mbyllura.