Basketboll

ZM Prishtina mposhtet në FIBA EUROPE CUP nga Sir Oliver Vyrzburg me rezultat 78:91 (VIDEO)

Të mërkurën mbrëma, në Palestrën e stërmbushur në Prishtinë, kaltër e bardhët pësuan disfatë nga skuadra gjermane e Sir Oliver Vyrzburg me rezultat 78:91.

Ishte kjo fitorja e katërt pa humbje për gjermanët të cilët kështu iu bashkuan edhje dy skuadrave tjera, Dinamo Sassarit dhe Palacanestro Varese, që tashmë kanë siguruar kualifikimin në Play Off-in e sivjetmë të FIBA Europe Cup.

Ishte kjo një ndeshje e shkëlqyeshme e Vyrzburgut, skuadër kjo e udhëhequr nga Denis Ëucherer, ish lojtar i njohur i shumë skuadrave evropiane dhe kombëtares gjermane me të cilën fitoi titullin e nënkampionit të Evropës në Eurobasketin 2005 së bashku me dikur bashkëlojtarin po ashtu shumë të njohur, Shtefan Arigbabun që tash është ndihmës i tij dhe të cilët, ihsin pjesë e gjeneratës së famshme të udhëhequr nga Dirk Novitzki, Dejmond Green, Patrik Femerling dhe shumë të tjerë.

Kundër prishtinasve, 9 nga 10 lojtarët e skuadrës së udhëhequr nga dyshja Vuherer-Arigbabu u shënuan në listën e realizuesve ndërsa 6 prej tyre realizuan pikë dyshifrore.

Lideri i skuadrës ishte plejmejkeri amerikan Skyler Boulin  i cili përpak nuk shënoi double double dhe ndeshjen e përmbylli me 14 pikë e 9 asistime, duke e plotësuar për mrekulli mungesën e ish plejmejkerit prishtinas, tash lojtarin e Vyrzburgut, Jordan Hulls, që kishte qenë figura kryesore e fitores në ndeshjen e zhvilluar në Gjermani. Boulin ishte fenomenal për tri pikë duke shënuar 4 herë nga 6 tentime, efikasitet identik sikurse aloja e shkurt Florian Koch i cili shënoi 12 pikë, të gjitha përtej vijës së treshes.


Dominim absolut nën kosha, në këtë duel, patën edhe qendrat e mysafirëve.

 

Me 14 pikë tjera dhe 5 kërcime u dallua qendra 210 centimetërshe Gabriel Olaseni, përndryshe reprezentuesi i kombëtares britanike ndërsa qendra tjetër, amerikani Mike Morrison  kontribuoi me 12 pikë e 7 kërcime.

 

Performans të hatashme kudër skuadrës tonë pati edhe Ksavier Kuks  i cil shtoi 12 pikë, prej tyre tre treshe dhe shtoi 6 kërcime, 2 asistime e 2 topa të vjedhur ndërsa grupin e lojtarëve të Vyrzburgut që realizoi pikë dyshifrore e përmbylli plejmejkeri amerikan, Kameron Uells  që kontribuoi me 11 pikë e 5 asistime

 

Nga ana tjetër, për prishtinasit ishte kjo disfata e tretë në fëzanë e dytë të grupeve e cila ka vështirësuar maksimalisht mundësinë për të kaluar edhe një rreth të garave .

Më të mirët për Z Mobile Prishtinën në këtë duel ishin plejmejkeri amerikan Kyan Anderson  me 19 pikë, prej tyre 4 treshe nga 6 tentime dhe fundori i reprezentacionit të Kosovës, Mikaile Tmusiq  që shtoi 18 pikë, prej tyre 5 treshe dhe shpërndau 4 asistime tek bashkëlojtarët.

 

Ajo që duhet theksuar tek Tmusiq ishte shpirti i tij luftarak dhe përpjekjet për të ndezur skuadrën e tij në mbrojtje, gjë të cilën e bëri edhe kapiteni 39 vjeçar Edmond Azemi i cili me t’u futur në lojë u mundua t’i motivoj shokët e tij për të luajtur mbrojtje më agresive, mer që rast vodhi 2 topa dhe kapi 2 kërcime  ndërsa në sulm kontribuoi me 11 pikë, prej tyre 2 treshe.

Ajo që duhet veçuar në këtë takim ishte mungesa e energjisë në lojën e qendrës Halid Bukiqu i cili nuk kishte stërvitur tërë javën për shkak të gripit dhe ishte i papërgatitur për lojë, megjithatë trajneri Mullaomeroviq ishte i detyruar ta inkuadroi pasi është qendra e vetme klasike tek skuadra e jonë dhe Bukqiu e përmbylli lojën me 10 pikë e 4 kërcime.

 

Ajo që mungoi në lojën e kaltër e bardhëve në këtë takim, ishin pikët e dy lojtarëve më të mirë nga loja e parë e zhvilluar në Gjermani: Dardan Berisha dhe DeMario Mayfield .

 

Dyshja e snajperistëve prishtinas kudër Vyrzburgut ishte totalisht e pavërejtur dhe deri sa në duelin e parë kishin shënuar së bashku 38 pikë, në këtë duel realizuan vetëm 2 pikë, që ishte e pabesueshme por e vërtet.

 

Përderisa Mayfield nga 4 tentime për tri pikë nuk shënoi asnjëherë dhe duelin e përmbylli me zero pikë, Dardani nga 7 tentime nga loja…5 për treshe dhe 2 për dyshe, nuk qëlloi cakun asnjëherë dhe të vetmet pikë të tij erdhën nga dy gjuajtjet e lira.

 

Me një fjalë, trajnerët Vuherer dhe Arigbabu kishin lexuar mirë lojën e Mullaomeroviqit dhe kishin bllokuar plotësisht dyshen Beirsha – Mayfield , kurse nga ana tjetër , duke shfrytëzuar mungesën e gjatësisë nën tabela, e shfrytëzuan mirë dyshen e qendrave Olaseni-Morrison.

Fakti se Vyrzburg pati 43 kërcime dhe Prishtina 31 dhe se gjermanët realizuan 40 pikë në brendi të katërkëndshit dhe Prishtina vetëm 16, flet mjaftë.

Kur kësaj ia shtojmë edhe 28 asistime përkundër vetëm 18 të prishtinës, atëherë disfata ishte e pashmagshme

 

Ndeshjen e radhës Z Mobile Prishtina e zhvillon në Hungari kundër Szolnioki Olaj dhe fitorja eventuale do të mbante gjallë shpresat para duelit të fundit me 6 shkurt që ekipi ynë e ka me Pinar Karshijakën në Prishtinë. Nga ana tjetër, krejt varet edhe nga ndeshja në Vyrzburg ku gjermanët e presin skuadrën turke dhe një fitore eventuale e Karshijakës ndaj liderëve të pamposhtur në Grupin I do t’i jepte fund gjasave të Z Mobile Prishtinës.

 

Komentet janë të mbyllura.