Basketboll

SAMIR SHAPTAHU – IKONA E BASKETBOLLIT KOSOVAR QË S’HARROHET KURRË

Prishtinë(AsistiOnline) – Samir Shaptahu është një ndër emrat më të njohur, ndritur dhe spikatur në basketbollin e Kosovës, sidomos në historinë e pasluftës, kur i madh e i vogël, nëpër palestrat dhe televizionet tona e shikonin me ëndje të madhe këtë super-basketbollist, teksa dhuronte artin e basketbollit në parket.

AsistiOnline.com ju sjellë ekskluzivisht një historik të jetës së Samirit me basketbollin, por edhe pas pensionimit si lojtar aktiv dhe jeta e tij e përditshme që bën ai tash.

Samir Shaptahoviç(i njohur edhe në shqip si Samir Shaptahu) është një ish-basketbollist profesionist i shqiptarëve të Kosovës, i cili ka luajtur për herë të fundit për KB Pejën. Ai lindi në Bar-Tivar në Mal të Zi më 2 gusht 1981 në një familje shqiptare. Me të drejtë, Samiri konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë që basketbolli i Kosovës ka pasur ndonjëherë.

Sa i përket karrierës së tij nëpër ekipe, Samiri erdhi në Kosovë tek Prishtina nga Mornari i Malit të zi, ku luajti për disa sezone, por që më pas, Prishtina ishte vetëm skuadra fillestare e Samirit në vendin tonë, pasi ai luajti edhe në As Prishtinë, Mabetexin e atëhershëm, Bashkim të Prizrenit, si dhe në fund tek Peja, ku edhe e përmbylli karrierën profesioniste.

Vlen të ceket se Samiri luajti për 12 vite në Kosovë dhe për kaq kohë, arriti të fitojë 4 tituj kampioni dhe 3 kupa të Kosovës me ekipe të ndryshme kosovare Dhe përveç ekipeve kosovare, Samiri ishte edhe lojtar i ekipit kombëtar të Kosovës, dhe poashtu lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit shqiptar.

 

Por cili është aktiviteti i Samirit pas pensionimit nga basketbolli aktiv?

Menjëherë pas pensionimit nga loja aktive sa ishte pjesë e KB Peja, Samiri kishte udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’iu bashkuar familjes, gruas dhe dy fëmijëve dhe në fakt lajmi për pensionimin e tij e mërziti mbarë opinionin basketbolldashës në Kosovë, për faktin se kontributi i Samirit për basketbollin e Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe i pakrahasueshëm. Mungesa e Shaptahut, 5 vite pas pensionimit, vërehet dukshëm dhe ka lënë boshllëk, që ndoshta mund të kalojnë dekada dhe dekada dhe nuk mund të plotësohet.

Tashmë disa vite pas largimit nga basketbolli, Samiri është pronari i kompanisë “Start Over Decorating Corporation” e cila merret me ndërtime në New York të SHBA-ve. Në kompaninë e tij, Samiri ka deklaruar se janë të punësuar 26 punëtorë, shumica nga Kosova e veçanti nga Peja. Ai thotë se punët janë duke i shkuar për mrekulli. Duke falenderuar vetëm Zotit për të mirat që i ka dhënë.

Muaj më parë për Gazetën Blic, Samiri vazhdoi falenderimet ndaj popullit të Kosovës, për siç thotë ai ushqimin që i kanë bërë për 12 vite rresht sa luajti në vendin tonë.

Dua t’i falënderoj nga e gjithë thellsia e zemrës sime popullin e Kosovës që më kanë ushqyer për më shumë se 12 vite sa kam luajtur në Kosovë. I falenderoj të gjitha klubet që kam mbrojtur fanellën e tyre. I falënderoj të gjithë kosovarët nga zemra ime dhe kurrë në jetë nuk dua t’i harroj të mirat që i kam pasur atje. Përshëndetje të veçanta dhe lutem për kujdes në këtë kohë të vështirë për ne, shpresoj që Zoti ti ruajë të gjithë shqiptarët kudo që janë, shpresoj që të keni fat, ju dua shumë”, kishte thënë në deklaratën e tij, maestro Samiri. /AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.