Prishtinë(AsistiOnline) – Federata e Basketbollit të Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media sot, ka njoftuar se këtë të enjte, më 10 shtator, ora 19:00 në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja historike ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.
Në njoftimin e lëshuar, thuhet se marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.
I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.
Në Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria.
Liga Unike pritet të fillojë së shpejti, gjatë këtij edicioni sportiv, dhe parashikohet të jetë shumë interesante, duke zgjuar interesimin e tifozëve shqiptarë, kurse në parket pritet të ketë shumë rivalitet mes skuadrave që do të përfshihen në këtë kompeticion.
Po ashtu të enjten Bordi Drejtues i Ligës UNIKE që përbëhet nga 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga 2 Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues, e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE.
Ky projekt është përkrahur nga komuniteti i basktebollit në Shqipëri dhe Kosovë, duke e konsideruar atë si një event të shumëpritur dhe gjithashtu është përkrahur edhe nga FIBA Evropa.



