SUPERLIGA E KOSOVËS DHE LIGA UNIKE, PËR TRE VITE TË ARDHSHME NË ART MOTION
Prishtinë(AsistiOnline) – Platforma televizive më unike dhe atraktive në Kosovë – Art Motion ka nënshkruajtur zyrtarisht dy marrëveshje bashkëpunimi shumë të rëndësishme sot, me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe me Ligën Unike të basketbollit, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Me marrëveshjet e reja basketbolldashësit kosovarë do të mund t’i ndjekin për tre vjetët e ardhshme të gjitha ndeshjet e basketbollit kosovar si dhe ndeshjes së ligës së përbashkët Kosovë-Shqipëri, por njëherësh edhe Superliga e Kosovës në basketboll do të ketë sponsor gjeneral njërën nga njësitë e Korporatës Devolli. njofton Klan Kosova.
Drejtori i Platformës “Artmotion”, Alaudin Hamiti, ka thënë se as vet nuk e kishte besuar se kjo platformë do të ecte më hapa kaq të shpejtë, sa të arrinte të rinovonte kontratën me FBK-në një vjet para se ajo të skadonte.
“Artmotion është shndërruar në adresën numër një të sportit në vend. Kemi arritur ta ngritin nivelin e shikueshmërisë të basketbollit kosovar pas zbehjes që ka përjetuar disa vjet më herët”, është shprehur Hamiti.
“Një moment si ky është tepër i rëndësishëm jo vetëm për Artmotion, por për basketbollin në përgjithësi”.
Ndërkaq Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është shprehur i lumtur me rinovimin e kontratës mes dy institucioneve.
“Artmotion është shtëpia e basketbollit të Kosovës. Kemi kërkuar një partner medial dhe atë e kemi gjetur tek ju. Kemi 150-180 transmetime në vit dhe këto ndeshje vetëm të FBK-së. Nga ky vit do të kemi edhe mbi 60 ndeshje të Ligës Unike. Kemi bërë bashkë revolucion”, ka thënë Fetahu.
Përveç me FBK-në, Artmotion ka arritur ujdi edhe me Ligën e Unike, ku kryetari i saj Dren Zatriqi, ka thënë se arritja e saj është realizim i një ëndrre.
“Liga Unike ka qenë ëndërr e përbashkët e shumë njerëzve, por fati deshi që këtë vit të ndodhë realizimi i kësaj ëndrre dhe këtij projekti. Ëndrra do të ishte e parealizueshme si duhet po mos të ishte Artmotion”, ka thënë Zatriqi.
“Ne do të jemi liga që do ta bartë logon si liga zyrtare e derbive”.
Komentet janë të mbyllura.