”THE ANSWER” NGA SHQIPËRIA, KAMPIONË TË ”STREETBALL KOSOVA 2020”
Prishtinë(AsistiOnline) – Ka përfunduar me sukses edhe edicioni i 21-të i Streetball Kosova 2020 i mbajtur sot në Prishtinë.
Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, më ndryshe se zakonisht në ambient të mbyllur, shkaku i pandemisë COVID-19, është mbajtur turneu i 21-të i Streetball Kosova 2020, që për fitues në fund e ka nxjerrur, ekipin nga SHkodra e Shqipërisë, ”The Answer”.
7 ekipe ishin në garë për titullin e kampionit, këtë edicion në Streetball Kosova, ku organizatorët e garës i ndanë ekipet në dy vazo: A e cila kishte 3 ekipe dhe B e cila kishte 4 ekipe.
Në grupin A, ishin të ndara ekipet:
1. Air Force One
2. Fenchat
3. Turistat
Ndërsa në grupin B, ishin të ndara ekipet:
1. The Answer
2. Rc Cola Drita
3. 3shja e Madhe
4. Boom Shakallaka
Në grupin A, ekipi i Air Force One, që sivjet u paraqit me roster më ndryshe, me kapiten Albatrit Sahitin dhe lojtarët e tjerë, Diamant Shabani, Agim Hamiti dhe Mirlind Zekaj. Nga dy ndeshje arritën, po aq fitore dhe në gjysmëfinale kaluan pa telashe, ku vlen të ceket super-paraqitja e Diamant Shabanit, sidomos në përballjen e parë të grupit, kundër ”Fenchave” që realizoi plotë 6 trepikësha.
Ndërsa në vendin e dytë të grupit A, përfundoi ekipi i ”Fenchave” i prirë nga kapiteni Alban Latifaj dhe lojtarët e tjerë, Rinor Ahmeti, Dardan Sejdiu e Visar Latifaj, të cilët e mbyllën fazën grupore me një fitore(kundër Turistave) dhe një humbje(kundër Air Force One), duke kaluar në gjysmëfinale të garës.
Dhe ekipi i fundit i cili e mbylli garën e sivjetme pa fitore, ishin ”Turistat” nga Peja të udhëhequr nga kapiteni Alban Dreshaj me veteranët, Taulant Dupa, Butrint Gashi dhe Roberto Lajqi, të cilët e mbyllën këtë edicion pa fitore, sepse nga dy takime, pësuan po aq herë. Dhe kësisoji dy ekipet nga grupi A, që kaluan në gjysmëfinale ishin: Air Force One si lidere e grupit dhe Fenchat nga vendi i dytë, ndërsa Turistat e Pejës u eliminuan.
_____________________________________________________________________________________________________________________________________________
Në grupin B, që kishte 4 ekipe u zhvillua një betejë e jashtëzakonshme për dy vendet e para në tabelë që siguronin gjysmëfinalen.
Ekipi nga Shkodra e Shqipërisë me kapitenin dhe veteranin, Erjon Llazani dhe lojtarët e tjerë si: Julian Hamati, Robert Shestani dhe Daniel Lekndreaj, ateruan në Prishtinë dhe e nisën garën në mënyrë perfekte, duke arritur 3 fitore, nga po aq ndeshje në fazën grupore dhe normalisht kaluan në gjysmëfinale pa asnjë problem.
Ekipi i dytë në grupin B dhe që lirisht mund të thuhet se ishte befasia e këtij edicioni të Streetballit, ishin djelmoshat e rinjë nga Gjilani, nën-emrin e Rc Cola Drita, të prirë nga kapiteni, Qëndrim Demi, lojtarët e tjerë: Enes Bunjaku, Violt Rexhepi dhe Nart Llapashtica, që arritën dy fitore e një disfatë, madje në ndeshjen e fundit dhe vendimtare për gjysmëfinale, ata mposhtën ekipin e ”Boom Shakallaka” dhe kaluan në gjysmëfinale të garës, duke qenë befasia më e këndshme e garës, sepse me lojtarë të rinjë dhe të talentuar, treguan lojëra fantastike dhe u kualifikuan në gjysmëfinale.
Vendi i tretë në grup, ju takoi skuadrës ”Treshja e Madhe”, që ishin të përbërë nga veteranët, Fidan Hamiti, Mirsad Aliu dhe Valon Nikiqi. Të cilët e mbyllën garët me një fitore dhe dy disfata, duke mos arritur kalimin në fazën e dytë, por që treguan shumë lojëra të bukura, sikurse me treshet e Mirsad Aliut, por edhe me shënimet karizmatike të Fidan Hamitit në trapez e pa e lënë anash edhe Valon Nikqin.
Vendi i fundit i grupit B, ishin ”Boom Shakallaka” me kapiten, Elvedin Plakiqin dhe lojtarët e tjerë, Granit Hyseni, Diell Behra dhe Dorant Hana, që e mbyllën garën pa fitore, ngase pësuan 3 disfata në 3 ndeshje të luajtura. Edhe pse tentuan deri në fund, por që u mposhtën nga ”Rc Cola Drita” në ndeshjen vendimtare dhe u eliminuan në grupe.
_____________________________________________________________________________________________________________________________________________
Faza grupore e Streetball Kosova 2020, nxorri 4 ekipe gjysmëfinaliste. Dy nga grupi A, që ishin, Air Force One dhe Fenchat, si dhe dy nga grupi B, që ishin, The Answer dhe Rc Cola Drita.
Vendi i parë i grupit A u takua me të dytin e grupit B dhe vendi i parë i grupit B, u takua me vendin e dytë të grupit A.
Që do të thotë:
Air Force One – Rc Cola Drita.
The Answer – Fenchat.
Në gjysmëfinalen e parë, u takuan Air Force One dhe Rc Cola Drita, dy ekipe me lojtarë tejet interesantë dhe të talentuar që dhuruan spektakël me shënimet e tyre, por që në fund triumfoi përvoja karshi talentit, Air Force One me në krye Albatrit Berishën, mposhtën gjilanasit e rinjë me rezultatin final, 21-12 dhe kështu u kualifikuan në finale të Streetball Kosova 2020.
Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, u takuan dy ekipe shumë kompakte. The Answer nga Shkodra e Shqipërisë dhe Fenchat nga Prishtina, ku u zhvillua një ndeshje shumë dramatike, me The Answer që shfrytëzonin forcën nën-trapez me Julian Hamatin dhe Daniel Lekndrejaj e Fenchat që me treshet e Rinor Ahmetit, mbaheshin mirë në lojë dhe në fund, falë koncentrimit më të madh, fituan ekipi i The Answer me rezultat të ngushtë, 21-15 dhe i’u bashkuan, Air Force One në finalen e madhe të Streetball Kosova 2020.
Finalja e madhe e Streetball Kosova 2020, vuri përballë dy ekipe me shumë përvojë dhe që deri në finale, nuk dinin për disfatë dhe me bilanc të 100% arritën deri aty. Air Force One vs The Answer, që e nisën ndeshjen me shumë kujdes, shënime të herë njërit e herë tjetrit ekip, sidomos në 5 minutat e para, ku kujdesi ishte maksimal. Ndërsa në 5 minutat e fundit të finales, The Answer paksa u shkëputën në rezultat, duke e menagjuar atë deri në fund dhe për t’u shpallur kampionë të edicionit të 21 të Streetball Kosova 2020 e që në fund me meritë e ngritën trofeun e më të mirëve, që u’a dorëzoi, Drejtori i Rinisë, Sportit dhe Kulturës në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha.
Me këtë ndeshje finale, përfundoi edhe një edicion i suksesshëm i Streetballit Kosovar edhe pse sivjet me shumë telashe, shkaku i pandemisë COVID-19, organizatorët bënë të pamundurën dhe e organizuan garën edhe këtë vit, duke e vazhduar traditën që nga viti 2000.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.