Basketboll

VASHAT E VËLLAZNIMIT E NISIN ME FITORE TË THELLË, SHKËLQEJNË TRANSFERET E HUAJA

Prishtinë(AsistiOnline) – Me ndeshjen në mes të Kastriotit të Ferizajit dhe Vëllaznimit të Gjakovës, ka nisur stinori i ri në Superligën e basketbollit kosovar femëror.

Në këtë ndeshje të zhvilluar në Palestrën ”Bill Clinton” në Ferizaj, vashat gjakovare të drejtuara nga trajneri Pal Syla, kanë arritur të fitojnë thellë, si mysafire të Kastriotit me rezultat të lartë, 51-100.

Lojtaret më të dalluara të Vëllaznimit në këtë triumf, padyshim që ishin dy transferet e huaja, Raven Baker me double-double 33 pikë, 11 kërcime dhe 8 asiste, si dhe Sarah Mgbeike që poashtu realizoi double-double, 30 pikë, 18 kërcime, 7 asiste, 6 vjedhje topash dhe 2 bllokada, por pikë dyshifrore në këtë sfidë për vashat gjakovare arritën edhe dy basketbollistet vendore, Rina Hoda e Diellza Leti me nga 13 sosh.

Tek Kastrioti s’mjaftuan për triumf, transferja e huaj Alexander Amani me 30 pikë e 8 kërcime dhe as Agnesa Rrahmani që realizoi 8 pikë e 6 kërcime.

Me këtë triumf, vashat e Vëllaznimit e kanë nisur me fitore bindëse stinorin e ri në Superligën e femrave dhe ndeshjen e radhës e luajnë ndaj Prishtinës në kryeqytet, ndërsa Kastrioti udhëton në Pejë, për tu takuar me Penzën.

/AsistiOnline.com/ 

 

Komentet janë të mbyllura.