Basketboll

SKANDALOZE: SULMOHET EKIPI REALIZUES I KLAN KOSOVA DHE ART MOTION, NUK TRANSMETOHET NDESHJA VËLLAZNIMI – TREPÇA

Prishtinë(AsistiOnline) – Ekipi realizues i Klan Kosova dhe Artmotion i cili është dashur ta realizonte transmetimin e ndeshjes së basketbollit, Vëllaznimi – Trepça, sonte është sulmuar fizikisht dhe është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare nga ana e përgjegjësit të palestrës, ”Shani Nushi” në Gjakovë, me ndihmën edhe të një pjesëtari të sigurimit të sallës.

Në njoftimin zyrtar të lëshuar nga mediumet në fjalë, thuhet se rreth orës 17:00, kur ekipet e tyre kishin arritur para palestrës dhe kishin kërkuar asistencë nga zyrtarët e palestrës(sikurse është normale në çdo ndeshje tjetër), kishin hasur në arrogancë dhe refuzim të lejimit të hyrjes e më pas edhe në ofendime, kanosje dhe sulm fizik të përgjegjësve të palestrës.

Në njoftim, thuhet se në kohën kur ka ndodhur rasti, nuk ka pasur asnjë zyrtarë të KB Vëllaznimit në palestër dhe as prezencë të Policisë së Kosovës. Pas kontakteve të përgjegjësve të Artmotion dhe Klan Kosova me zyrtarë të FBK-së dhe KB Vëllaznimit për raportim të rastit, të njëjtit kanë arritur në palestër ku ka vazhduar rezistimi i përgjegjësit të palestrës, për të lejuar ekipin për të hyrë dhe i njëjti ka vazhduar me kërcënime dhe fyerje.

Tutje thuhet se në ndërkohë, me thirrje të KB Vëllaznimit për asistencë policore, patrulla e Policisë së Kosovës ka arritur në palestër rreth orës 18:30 minuta, që ishte vonë dhe ka pamundësuar realizimin e transmetimit e ndeshjes së basketbollit. Ky është rast skandaloz i cili kurrë, deri tash nuk ka ndodhur në histori të basketbollit kosovar.

Klan Kosova dhe Artmotion kanë thirrur institucionet përgjegjëse FBK, Komunën e Gjakovës e cila është përgjegjëse për Palestrën ”Shani Nushi” dhe KB Vëllaznimin që të ndërmarrin masa, ndërsa do të merren edhe hapat e nevojshëm ligjorë për këtë rast skandaloz, thuhet në njoftimin zyrtar të lëshuar sonte nga Klan Kosova e Artmotion.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.