PEJA VAZHDON PA HUMBJE, MPOSHT EDHE BASHKIMIN
Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Pejës e ka arritur edhe fitoren e katërt me radhë në stinorin e ri të Superligës së Kosovës.
Ekipi i prirë nga kroati, Edi Xhelalija, ka mposhtur në shtëpi Bashkimin e Prizrenit me rezultat të përgjithshëm, 76-59. Kjo fitore e pejanëve, vije pas telasheve të shumta me virusin COVID-19 e që tash për tash janë lënë mbrapa.
Tre basketbollistë të Pejës arritën pikë dyshifrore në fitoren e sotme, Dardan Berisha me 26 pikë, 8 kërcime e 7 asiste, Marko Peroviç me 16 pikë e 8 kërcime, si dhe Robert Cartwright me 14 pikë, ndërsa mungoi kapiteni i skuadrës, Drilon Hajrizi.
Tek Bashkimi me lojë të mirë u dalluan, Musab Mala me 20 pikë e Sean Hoehn me 17 sosh.
Me këtë ndeshje të mbetur nga xhiro e katërt, Peja arrin në kuotën e 8 pikëve me 4 fitore nga po aq ndeshje të luajtura, si dhe ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërsa, Bashkimi sonte pësoi edhe disfatën e katërt, karshi vetëm një fitore dhe tash ka 6 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Peja e pret Yllin e Bashkimi e luan derbin lokal me Ponte Prizrenin.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.