Basketboll

PAS AKUZAVE NDAJ TYRE REAGON SHOQATA E GJYQTARËVE TË BASKETBOLLIT

Prishtinë(AsistiOnline) – Kohëve të fundit janë shpeshtuar kritikat e klubeve dhe përkrahësve të klubeve të Superligës së Kosovës në adresë të gjyqtarëve të basketbollit kosovar.

Qoftë zyrtarë, trajnerë apo lojtarë, disa publikisht në media, të tjerët përmes rrjeteve sociale dhe në opinion, kanë shprehur pezmin e tyre ndaj ndarjes së drejtësisë së gjyqtarëve të basketbollit në këtë edicion.

Lidhur me këtë, Shoqata e Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës (SHGJBK) ka lëshuar komunikatë për media dhe enkas, SHGJBK-ja ka dërguar në adresën zyrtare të AsistiOnline.com një e-mail zyrtarë në të cilën ka reaguar ndaj kritikave dhe sipas tyre presioneve që u janë bërë javëve të fundit nga klubet dhe personat zyrtarë të tyre.

Në shkresën e tyre thuhet se, Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës reagon fuqishëm ndaj akuzave që janë bërë në drejtim të referëve nga disa klube të basketbollit, nëpërmes rrjeteve sociale(faqeve zyrtare) të cilat ndikojnë negatvisht tek opinioni basketbolldashës.

Më tutje potencohet nga SHGJFBK, se nuk do të thotë se gjyqtarët kosovarë janë të pagabueshëm, sepse gabimet janë pjesë e lojës nga të gjithë akterët por që aspak nuk kanë të bëjnë me qëllime të njëanshme apo tendencioze ndaj dikujt.

Në vazhdim ju sjellim reagimin origjinal të plotë dhe pa ndërhyrje të SHGJFBK-së:

KOMUNIKATË PËR OPINIONIN

Shoqata e Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës me anë të kësaj shkrese reagon fuqishëm ndaj akuzave që janë bërë në drejtim të gjyqtarëve nga disa klube të basketbollit, nëpërmes rrjeteve sociale(faqeve zyrtare) të cilat ndikojnë negatvisht tek opinioni basketbolldashës.

Duam që për hirë të korrektësisë të ju njoftojmë, që ne punojmë me përkushtim maksimal për çdo ndeshje, duke filluar nga pranimi i nominimit, pastaj PreGame diskutimet para lojës, FeedBack pas lojës, rishikimi i ndeshjes, evaluimi individual dhe komentimi i klipeve.

Për të gjitha këto që u cekën më lartë, nuk do të thotë se jemi të pagabueshëm, sepse gabimet janë pjesë e lojës nga të gjithë akterët, por që aspak nuk kanë të bëjnë me qëllime të njëanëshne apo tendencioze. Motoja e jonë është të mësojmë nga gabimet të cilat ndodhin në lojën dinamike të basketbollit. Më të gjithë punën dhe mundin që kemi bërë, kemi arritur që nga ky muaj ti licensojmë katër(4) gjyqtarë ndërkombëtarë, FIBA që konsiderohet si një e arritur e madhe nga një shtet i vogël siç jemi ne.

Ne jemi gjithmonë të hapur për bashkepunim dhe dialog me SHTBK(Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës) dhe i kemi njoftuar me ndryshimet e rregullave të basketbollit, por nuk lejojmë manipulim të basketbolldashësve përmes rrugëve tjera siç janë mediat apo edhe rrjetet sociale.

Duam të potencojmë se në të ardhmen e afërt, në rast se ndonjë nga klubet vazhdon të drejtojë akuza dhe reagime të pabaza ndaj gjyqtarëve, do të jemi të detyruar të selektojmë sherbimet tona nga Shoqata jonë e Gjyqtarëve të Basketbollit.

Mos harroni jemi për të ndarë drejtesinë. Jemi në shërbim të klubeve dhe askujt tjetër”, thuhet në reagimin e tyre, dërguar AsistiOnline.com

Me respekt:

SHGJFBK

 

REAGIMET E TË PAKËNAQURËVE NDAJ KOMUNIKATËS

 

Lidhur me këtë fenomen, kritikat e vazhdueshme dhe në rritje të klubeve (zyrtarë, trajnerë dhe lojtarë) si dhe reagimin e gjyqtarëve ndaj kritikave publike për mënyrën se si ata kanë referuar sivjet sidomos në fund të vjeshtës dhe tash në fillim të pranverës, kanë reaguar edhe të pakënaqurit me ndarjen e drejtësisë nga referët.

Ata i janë drejtuar AsistiOnline.com dhe kanë dhënë opinionet e tyre, qoftë në mënyrë publike dhe me emër e mbiemër e disa prejt tyre kanë preferuar të mbeten “incognito” (identiteti të mos ju publikohet) pasi që, sipas tyre, frikohen nga revanshizmi i gjyqtarëve ndaj skuadrave të tyre.

Të rikujtojmë se , për shkak të pakënaqësive me ndarjen e drejtësisë, ditë më parë KB Rahoveci është tërhequr nga organizimi i garave finale të Kupës së Kosovës 2021.

Pa dyshim se çështja e referimit është temë e ndjeshme për të cilën duhet folur haptas dhe me fakte, në mënyrë që ky segment i basketbollit kosovar të jetë kualitativ dhe në funksion të ngritjes së kualitetit të lojës së basketbollit në vendin tonë.

Në vijim, do të dëgjojmë edhe reagimet dhe pakënaqësit e klubeve lidhur me ndarjen e drejtësisë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.