YLLI I PAMPOSHTUR NË PRANVERË, VËLLAZNIMI PËSON NË FUND
Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli e ka arritur edhe fitoren e pestë radhazi në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës.
Suharekasit kanë triumfuar si vendas dhe me shumë mund ndaj Vëllaznimit të Gjakovës me rezultatin final të sfidës, 75-71.
Ndeshja ishte shumë e ngushtë dhe këtë më së miri e dëshmon rrjedha e takimit, ku Vëllaznimi e fitoi çerekun e parë me rezultat të ngushtë, 18-19, përderisa në çerekun e dytë, Ylli ishte diçka më i mirë dhe e fitoi çerekun e dytë, 19-17, ndërsa pjesa e parë e sfidës u mbyll, 37-36.
Perioda e tretë e takimit ishte fatale për ekipin e Vëllaznimit, pasi Ylli e fitoi atë me 4 pikë dallim(23-19), ndërsa përkundër fitimit të periodës së katërt me 1 pikë dallim nga Vëllaznimi(15-16), kjo nuk mjaftoi pasiqë Ylli iu gëzua fitores në fund.
Katër basketbollistë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Yllit sonte, Erjon Kastrati(18), Elyjah Clark(16), Mitchell Wilbekin(15) dhe Samir Zekiqi(12).
Te Vëllaznimi s’mjaftuan për fitore, Emmanuel Omogbo me double-double(22pk, 14krc), Andi Shehu me 14 pikë, Robert Shestani me 13 pikë, Cedric Council e Deondre Ray me nga 10 pikë.
Pas xhiros së 19-të, Ylli barazohet me pikë me Ponte Prizrenin në vendin e parë me nga 31 pikë dhe 13 fitore e 6 humbje. Ndërsa, Vëllaznimi mbetet i fundit me 23 pikë, 4 fitore e 15 humbje.
Në xhiron e ardhshme, Vëllaznimi i shkon Prishtinës e Ylli udhëton te Peja.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.