PRESIDENTI I GOLDEN EAGLE YLLIT: DO TA RIVALIZOJMË PRISHTINËN PËR TITULL
Prishtinë (AsistiOnline) – Presidenti i KB Golden Eagle Yllit Naim Berisha, ka folur në një bisedë të shkurtër për AsistiOnline, duke treguar planet finale të skuadrës simpatike nga Theranda për këtë stinor.
Berisha që është ndër themeluesit e skuadrës therandase, qysh në kohërat e hershme të paraluftës, ka potencuar se sivjet Ylli do ta rivalizojë seriozisht skuadrën e Prishtinës, në garë për titullin e Kampionit të Kosovës.
‘’Kemi punuar që në fillim të stinorit dhe po vazhdojmë të punojmë. Njëri nga synimet na ka ikur(duke aluduar në Kupën e Kosovës), por nuk do të ndalemi, do të angazhohemi deri në fund për titullin e Kampionit. Realisht jemi të vetmit që mund ti bëjmë konkurencë Prishtinës, këtë e kemi dëshmuar’’, u shpreh Berisha.
I pari i therandasve, foli poashtu edhe për përforcimin e mundshëm të skuadrës para Play Off-it.
‘’Largime nga ekipi nuk do të ketë, kemi angazhuar edhe një lojtarë të huaj. Përderisa për përforcime vendore, propozicionet e garave nuk e lejojnë një gjë të tillë në këtë fazë. Andaj mendoj se me ekipin që kemi, do të jemi të denjë për çdo kundërshtarë’’, theksoi krejtësisht në fund Berisha.
Skuadra e Yllit, që po drejtohet momentalisht nga trajneri më i trofeshëm në basketbollin kosovar Arben Krasniqi. Zë pozitën e dytë në tabelë, me 36 pikë të grumbulluara, 7 pikë më pak se Prishtina që gjendet në pozitën e parë, si dhe 1 pikë më shumë se Rahoveci që pozicionet në vendin e tretë.
Komentet janë të mbyllura.