Basketboll

VËLLAZNIMI FITON DERBIN NDAJ ISTOGUT, I AFROHET FERONIKELIT

Prishtinë (AsistiOnline) – Ka përfunduar para pak çastesh, derbi i Ligës së Parë në Basketboll ndërmjet, Istogut dhe Vëllaznimit.

Skuadra gjakovare, Vëllaznimi e ka fituar me shumë mund, takimin ndaj skuadrës së Istogut(82-86) në një ndeshje tejet interesate që u vendos vetëm në fund të takimit, sepse Istogu nuk u dorëzua ndaj Vëllaznimit deri në fund.

Fillimisht, Istogu e nisi më mirë takimin, duke e fituar çerekun e parë(25-21). Mirëpo në çerekun e dytë, Vëllaznimi u këndell dhe e morri epërsinë përpara, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet në favor të mysafirëve(34-44). Sa i përket pjesës së dytë, çereku i tretë ishte më i mirë për istogasit e Fikret Shatrit, por pa arritur ta merrnin epërsinë në duar(58-64). Në çerekun e katërt u zhvillua luftë e madhe për fitore, por Vëllaznimi arriti të mbahet dhe e fitoi takimin me meritë.

Më të dalluarit në fitoren e Vëllaznimit sonte ishin, djaloshi prizrenas Edmond Kryeziu me 30 pikë, si dhe Ardit Memqaj me 13 pikë, ndërsa me lojë të mirë u dallua edhe Dardan Brovinja me 12 pikë.

Tek Istogu u dalluan, Ardit Pepaj me 32 pikë si dhe Diamant Shabani me double, double fenomenal(30pk, 13krc si dhe 8ast).

Pas kësaj fitore, Vëllaznimi arrin në kuotën e 32 pikëve, duke u barazuar me Feronikelin në vendin e parë, por që këta të fundit kanë një ndeshje më pak.

Përderisa Istogu, gjendet në pozitën e katërt, me 26 pikë dhe ka siguruar Play Off-in për Superligë.

Komentet janë të mbyllura.