Basketboll

BROOKLYN NETS DEMOLOHEN NGA UTAH JAZZ, REZULTAT SHUMË MË I THELLË SE Ç’PRITEJ

Prishtinë(AsistiOnline) – Dominim nga fillimi e deri në fund për fitoren e 32-të sezonale, Utah Jazz i’a kanë dalë të triumfojnë lehtë në duelin kryesor të natës në NBA, kundër Brooklyn Nets me rezultatin 118-88.

Që nga sekondat e para filloi shkëputja e “Xhezerëve” duke u parë vetëm një skuadër në fushë, e me këtë rast vendasit në “Vivint Arena” mbyllën çerekun e parë me 21 pikë epërsi, 38-17. Në vazhdim Netsat u paraqitën pak më mirë, por që nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen, pasi që Jazz ishin shumë më të mirë gjatë gjithë kohës.

Në këtë përballje përveç Kevin Durant, munguan edhe Kyrie Irving, James Harden dhe Blake Griffin duke lënë kështu pa opsione trajnerin Steve Nash.

Donovan Mitchell ishte më i miri tek Utah me 27 pikë, 6 kërcime dhe 7 asistime teksa paraqitje të tmerrshme pati Jordan Clarkson që nuk përmbushi pritshmëritë duke realizuar vetëm tre pikë pas futjes nga stoli. Nga ana tjetër, tek Nets më i miri në parket ishte padyshim debutuesi, Alize Johnson që shënoi 23 pikë dhe bëri 15 kërcime.

Utah vazhdon të mbetet edhe më tutje në kreun e perëndimit me 32 fitore dhe 11 disfata, teksa tani rekordi i Brooklyn është 30-15 dhe ata tani rrezikojnë ta humbasin vendin e dytë në lindje me Milwaukeen që po u qëndron mbrapa.

/AsistiOnline.com/

https://www.youtube.com/watch?v=uyXuI3eHiQc

Komentet janë të mbyllura.