Basketboll

PRISHTINA AFËR MBIJETESËS, VËLLAZNIMI AFËR RËNIES NË LIGËN E PARË!

Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina e ka shënuar fitoren më të rëndësishme të stinorit, duke ju afruar mbijetesës për stinorin e ardhshëm në elitën kosovare të basketbollit.

Në një ndeshje të jashtëzakonshme dhe tepër interesante, Prishtina arriti të mposhtë rivalin direkt për mbijetesë, Vëllaznimin me rezultat tepër të ngushtë dhe dramatik 76-79.

Rrjedha e ndeshjes ishte tepër interesante me Prishtinën që e fitoi ngushtë çerekun e parë 18-21. Ndërsa çereku i dytë u mbyll baraz, 17-17 e skuadrat shkruan në pushim me avantazh 35-38.

Vëllaznimi zhvilloi një çerek fantastik në pjesën e dytë, duke e fituar thellë çerekun e tretë, 24-11 dhe duke marrë avantazhin e duke nisur periudhën e fundit me +10(59-49). në çerekun e fundit, Prishtina përsëri u rikthye te loja e mirë, duke shkrirë epërsinë e vendasve dhe duke rikthyer avantazhin, fitoi çerekun e katërt 17-30 dhe triumfoi në ndeshje.

Vlen të ceket se këtë ndeshje e vendosën gjuajtjet e lira në të cilat, lojtarët e Prishtinës u treguan më të saktë, derisa ata të Vëllaznimit gabonin në momente kyçe dhe kjo ju kushtoi me humbje.

Te Prishtina basketbollistët më të dalluar sonte ishin: Tevin Mack me 26 pikë, Nigel Johnson me 24 pikë, lojtarët e tjerë nuk arritën pikë dyshifrore.

Në anën tjetër te Vëllaznimi s’mjaftuan për fitore: Emmanuel Omogbo me 23 pikë, Ty Nichols me 20 pikë, Robert Shestani me 12 pikë e Andi Shehu me 11 sosh.

Me këtë fitore, Prishtina ngritet në pozitën e 7-të me 37 pikë, 10 fitore e 17 humbje dhe me fitore eventuale kundër Bashkimit në xhiron e fundit e siguron mbijetesën.

Ndërsa, Vëllaznimi mbetet i fundit me 36 pikë, 9 fitore e 18 humbje. E për të mbetur në Superligë, duhet të shpresojë që Bashkimi ta mposht Prishtinën e poashtu Vëllaznimi ta mposht Pejën.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.