PRISHTINA I SHPËTON RËNIES DHE FUTET NË ”PLAY OFF” SË BASHKU ME BASHKIMIN
Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen kryesore të stinorit, që ishte edhe e fundit në edicionin e rregullt, duke mposhtur Bashkimin dhe duke i shpëtuar rënies e duke siguruar ”play off”-in.
Kryeqytetasit kanë triumfuar në shtëpi ndaj Bashkimit me rezultat përfundimtar 87-82, në një ndeshje e cila ishte tejet interesante, sidomos në pjesën e dytë.
Kryeqytetasit e nisën shumë më mirë, duke fituar çerekun e parë 22-13, ndërsa e fituan edhe të dytin por minimalisht 23-22 e shkuan në pushimin mes pjesëve me +10(45-35).
Në pjesën e dytë, Bashkimi u këndell dhe arriti që ta fitojë çerekun e tretë 23-28, por në periodën e fundit, Prishtina nuk lejoi përmbysje dhe fitoi edhe periodën vendimtare me 2 pikë dallim(21-19) dhe e fitoi ndeshjen me meritë.
Ish-bashklojtari i Jarret Allenit, amerikani Tevin Mack ishte i jashtëzakonshëm në fitoren e Prishtinës sonte me plotë 38 pikë, 4 asiste, 4 vjedhje topash e 3 kërcime, ndihmuar edhe nga Nigel Johnson me double-double(19pk, 12ast, 7krc) e Edmond Azemi me 11 pikë.
Te Bashkimi s’mjaftuan assesi për fitore: Obinna Oleka me double-double(22pk, 11krc), Milos Latkovic me 20 pikë, Juljan Hamati me 14 e Chris Lutete me 12 sosh.
Me këtë triumf, Prishtina e siguroi edhe zyrtarisht mbijetesën pa ”play out”, madje duke u kualifikuar në ”play off”, së bashku me Bashkimin të cilit i konvenoi humbja e Trepçës nga Ponte Prizreni.
Prishtina stinorin e rregullt e përfundon me 39 pikë, 11 fitore e 17 humbje dhe në pozitën e 6-të. Ndërsa, Bashkimi e mbyll stinorin e rregullt në pozitën e 5-të me 39 pikë, 11 fitore e 17 humbje.
Pra në këtë edicion nga Superliga edhe zyrtarisht bie Vëllaznimi i Gjakovës e Trepça do të luajë në ”play out”.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.