Basketboll

RRUGËTIMI 7 VJEÇAR I DRITËS PËR TU KTHYER NË SUPERLIGË

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Dritës nga Gjilani është anëtarja më e re e Superligës së Kosovës në Basketboll, pas mposhtjes në të dyja ndeshjet finale ekipin e Istogut.

Gjilanasit rikthehen në elitën e basketbollit kosovar, pas 7 viteve mungesë. Në fakt skuadra e Dritës, nuk kishte rënë nga liga atë kohë, por ishte përjashtuar nga garat elitare për sezonin 2014/15.

Përjashtimi i Dritës nga garat e Superligës, kishte ardhur për shkak të mospërmbushjes së kritereve për pjesëmarrje në Superligë dhe në vend të saj, ishte inkuadruar Ylli me Wild Card-in e famshëm.

Në stinorin 2013/14, Drita e kishte përfunduar stinorin e Superligës në pozitën e 5-të me 40 pikë, 12 fitore e 16 humbje, duke ju afruar ”play off”-it jashtëzakonisht shumë, por në fund nuk e kishte arritur dhe sot kur jemi 7 vite pas, Drita rikthehet në Superligën e Kosovës për edicionin 2021/22.

Për 7 vite rresht, skuadra gjilanase luajti në Ligën e parë të Kosovës dhe ky i sivjetmi ishte tentimi më serioz i tyre për tu rikthyer në elitë dhe e arritën me 17 fitore e vetëm 1 humbje në stinorin e rregullt, ndërsa në ”play off” nga 4 ndeshje të zhvilluara, Drita arriti po aq fitore dhe u impenjua në Superligë.

Gjatë qëndrimit në Ligën e parë, tentimet më serioze për inkuadrim në Superligë, Drita i kishte pasur fillimisht në stinorin 2015/16, ku ishte mposhtur nga Rahoveci në ”play off” edhe pse në seri finale 1-1, ‘vreshtarët’ ishin ngritur në elitë për shkak të koshdiferencës më të mirë nga dy ndeshjet dhe në stinorin 2016/17, por që edhe këtu Drita ishte mposhtur në finale të ”play off”-it nga Borea e Pejës 2-0 në seri.

Për ata që nuk e dinë, KB Drita është një herë kampione e Kosovës në basketboll në vitin 1996/97.

Stafi i ASISTIT dhe AsistitOnline, urojnë klubin gjilanas për rikthimin e tyre në elitë dhe ju dëshirojnë suksese në vijim.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.