Basketboll

TAKIANOS LARGOHET NGA RAHOVECI, POR LIHET I HAPUR RIKTHIMI!

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Rahovecit që para dy ditëve u eliminua nga gara e ”play off”-it të Superligës së Kosovës, duket se ka mbetur pa trajnerin që i priu ekipit në stinorin pranveror.

Në një postim të publikuar pak më herët në faqen zyrtare të klubit, në mënyrë indirekte përmendet largimi i trajnerit grek, Fotis Takianos i cili duket se nuk do të jetë me ‘vreshtarët’ edhe në edicionin e ardhshëm, por rikthimi i tij në qytetin e ‘vreshtave’ mbetet opsion i hapur.

Erdhi vonë, por u dashurua menjëherë me klubin në veçanti e qytetin në përgjithësi. Mikpritja që njerëzit e Rahovecit ia rezervuan atij, mbeti njollë e pashlyeshme tek ai, por e bukur. Këtë fakt e përmendte vazhdimisht, kudo që shkonte, me këdo që qëndronte. Ai përfundoi misionin e paraparë për këtë edicion. Kur i thamë lamtumirë, nuk pranoi. Tha, jo, nuk i dihet jetës, rrugët janë të ngatërruara aq bukur, sa mund të bëhemi bashkë sërish. Kryesia e klubit e falenderon pafundësisht atë, teksa i uron suksese të panumërta në aventurat e radhës. Faleminderit Fotis”, thuhet në postimin e skuadrës së Rahovecit.

Të kujtojmë se Takianos udhëhoqi me Rahovecin në 16 ndeshje, 14 të tilla në Superligën e Kosovës dhe 2 sosh në Ligën Unike. Në Superligën tonë, pati bilanc prej 8 fitoreve dhe 6 humbjeve. Ndërsa në Ligën Unike, pati 1 humbje e 1 fitore.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.