YLLI SHËNDRIT PËRSËRI I AFROHET TITULLIT HISTORIK!
Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli e ka fituar edhe ndeshjen e dytë finale të ”play off”-it të Superligës së Kosovës te meshkujt.
Therandasit kanë triumfuar edhe në ndeshjen e dytë finale ndaj Pejës, kësaj rradhe me rezultatin përfundimtar 75-73 në një ndeshje që ishte tejet tejet dramatike.
Ylli e nisi më mirë këtë duel, duke fituar çerekun e parë 24-20, ndërsa i dyti i takoi në tërësi Pejës që e fitoi atë 10-23 dhe shkoi në pushimin mes pjesëve me rezultat 34-43.
Në pjesën e dytë, Ylli zhvilloi një ndeshje fantastike sidomos në mbrojtje, duke arritur që fillimisht ta fitojë çerekun e tretë 21-12 e skuadrat në periodën vendimtare hynë me shifra të barabarta(55-55). Periudha vendimtare ajo e katërt, ishte tepër e ngushtë dhe interesante me Pejën që kishte avantazhin e ngushtë deri në 27 sekondat e fundit(71-73), por treshja e Erjon Kastratit ishte vendimtare(74-73) dhe ju solli fitoren e madhe therandasve sonte.
Komplet pesëshja e parë e Yllit sonte realizoi pikë dyshifrore, Demetris Morant me double-double(17pk, 10krc), Erjon Kastrati(15), Gëzim Morina(14), Elyjah Clark(12), si dhe Valon Bunjaku(11).
Te Peja s’mjaftuan për fitore, Dardan Berisha me 29 pikë, por kishte edhe 8 topa të humbur, Brandon Walters realizoi 14 pikë e Lis Shoshi 10 sosh.
Kjo fitore e afron Yllin në vetëm një triumf larg titullit të kampionit e që do të ishte historik dhe i pari në histori të klubit, seria aktuale është 2-0 në favorin e therandasve dhe ndeshja e tretë luhet në Pejë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.