KLUBET E PRIZRENIT DHE GJILANIT TË SHQETËSUARA, KËRKOJNË RIKTHIMIN E MENJËHERSHËM TË PALESTRAVE PËR SPORTISTËT
Prishtinë(AsistiOnline) – Pak kohë para nisjes së edicionit të ri në basketbollit e Kosovës, skuadrat e Superligës nga Prizreni dhe ajo nga Gjilani ende nuk kanë zhvilluar stërvitje në palestrat e qyteteve të tyre.
Palestra e Sporteve ”Sezai Surroi” në Prizren dhe ajo e qytetit të Gjilanit “Bashkim Selishta – Petriti”, janë lokacionet ku po kryhen vaksinimet nga ekipet mjekësore kundër covid-19 dhe në këto dy qytete të mëdha të Kosovës, sportistët janë lënë nën-mëshirën e fatit.
Drejtori gjeneral i KB Bashkimit nga Prizreni, Artan Kurti në një prononcim të dhënë për AsistiOnline.com, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me mungesën e sallës që klubi portokallinjë ti zhvillojë stërvitjet aty ku duhet, por njëkohësisht ka kërkuar që Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Shëndetësisë të gjejnë një lokacion tjetër për vaksinimin e qytetarëve, por jo aty ku stërvisin sportistët sepse kjo nuk është e drejtë.
”Me të vërtetë gjendja e sportit në qytetin e Prizrenit është shumë e keqe, klubet nuk po kanë ku të stërvitin dhe kjo po shkakton telashe të mëdha. Ne si KB Bashkim jemi duke improvizuar dhe po stërvitim në kushte të rënda e kjo mund të na kushtojë gjatë edicionit të ri, sepse faktikisht nuk jemi të barabartë me klubet e tjera që garojnë. Klubi ynë më datë 20 maj ka dërguar një ankesë në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe tek organet përkatëse komunale që të gjendet një zgjidhje tjetër për vaksinim e jo në palestrat e sportisëve, por kjo ka hasur në veshë të shurdhër. Derisa në kërkesën e dytë të bërë më 31 korrik, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu iu është adresuar përsëri Drejtorisë së Sportit dhe Kulturës dhe Komunës së Prizrenit, që Palestra t’ju kthehet sportistëve, por as kjo nuk është marrë parasysh. Ne me të vërtetë jemi në gjendje të vështirë dhe kërkojmë urgjentisht nga organet përgjegjëse që të na e lirojnë palestrën përndryshe do të ishte e pamundur të marrim pjesë në gara dhe do të ishte mirë që edhe kampionati të shtyhet e për këtë e kemi shprehur shqetësimin tonë edhe te FBK-ja”, tha Kurti.
I shqetësuar me gjendjen aktuale të sportit në Prizren është deklaruar edhe trajneri i skuadrës tjetër elitare nga Prizreni, Arbnor Rifati i cili në prononcimin e tij për AsistiOnline.com me urgjencë ka kërkuar lirimin e palestrave për sportistët.
”Ne më së pari kemi bërë kërkesë që mos të fillojë vaksinimi në palestër, pasiqë kemi pasur edhe shkollat e basketbollit aktive. Por na është premtuar që deri më 15 gusht do të na lirohet palestra e sporteve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhe deri tash. Kështu që sipas disa informacioneve e kemi kuptuar që deri më 1 tetor qenka marrëveshja me Ministrinë e Shëndetësisë, por ne bëjmë apel tek MSH-ja dhe organet kompetente/kryetarit të Komunës së Prizrenit që të bëhet një zgjidhje sa më e shpejtë, pasiqë nuk po kemi vend ku të stërvisim dhe dihet që më 1 shtator fillon Superkupa dhe në mes të shtatorit do të fillojmë kampionatin”.
Rifati tutje ka treguar se së bashku me klubin e Bashkimin kanë bërë kërkesë në FBK, që të shtyhet edicioni i ri i garave pasiqë nuk janë gati si klube dhe se nuk kanë as vend se ku ti zhvillojnë ndeshjet, derisa të lirohet palestra e sporteve e qytetit dhe ende nuk dihet se si do të veprohet.
”Ne me klubin tjetër të qytetit, Bashkimin kemi bërë një bashkëbisedim për të bërë kërkesë në FBK që të shtyhet edhe kampionati, për shkak se nuk është interesant që të ushtrohet në salla të shkollave të mesme dhe të dalim të luajmë në palestër, kjo është komplet propagandë e basketbollit dhe atë kërkesën që e kemi bërë në fillim kanë qenë të gjitha klubet sportive. Dihet që Prizreni ka shumë numra të sporteve dhe kështuqë nese kjo nuk bëhet, ekipet e Prizrenit sivjet vetëm do të marrin pjesë formalisht në gara, assesi nuk mund të pretendosh ndonjë titull ose diçka kur nuk ke se ku të ushtrosh dhe e kemi hallin se ku dhe si do ti zhvillojmë ndeshjet, kështuqë jemi në një situatë jo të mirë, tash po flas për Superligën, si për ne si për Bashkimin nuk e di se çka do të ndodhë edhe FBK-ja është munduar të bëjë atë të veten, por si duket ka hasur në veshët e shurdhër të MSH-së”, përfundoi prononcimin Rifati.
Situatë e njejtë paraqitet edhe në qytetin e Gjilanit me skuadrën e sapo inkuadruar në elitën e basketbollit kosovar, Drita. Drejtuesit e skuadrës bardhekaltër disa herë i kanë shprehur shqetësimet e tyre poashtu për zënien e palestrës me vaksinime, sipas tyre ky proces duhet të bartet diku tjetër dhe jo në shtëpinë e sportistëve.
Me mungesën e palestrës po ballafaqohen edhe disa klube nga Liga e parë, por edhe tek ajo e femrave e shpresojmë që institucionet shtetërore të reflektojnë në kërkesat e sportistëve, përndryshe gjendja e tyre do të keqësohej së tepërmi edhe ashtu e vështirë nga pandemia.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.