GERTI SHIMA NJË KARRIERË BRILIANTE: 27 TROFE ME 4 EKIPE TË NDRYSHME PËR 21 VJET
Prishtinë(AsistiOnline) – Ishte vetëm 14 vjeçar kur iu bashkua ekipit të Tironës kurse si 15 vjeç u ftua në Kombëtaren A të Shqipërisë, për t’u bërë njëri nga basketbollistët më të suksesshëm shqiptar i gjitha kohëve me një karrierë fantastike.
Në aventurën e parë me Tiranën, Shima luajti nga viti 2001 deri më 2004 dhe për herë të parë e fitoi kampionatin në sezonin 2002/2003 kur ishte vetëm 17 vjeçar.
Nga viti 2004 deri më 2006 ai iu bashkua Valbonës ku regjistroi rekordin personal të pikëve të shënuara në një ndeshje kur në vitin 2006 përballë Partizanit realizoi 91 pikë, rekord të cilin Shima e mbajti për 10 vite në Shqipëri deri sa Genti Lasku nuk shënoi 100 pikë në vitin 2016.
Në vitin 2006, Shima karrierën e vazhdoi në Kosovë tek AS Prishtina ku qëndroi deri më 2008 ndërkohë kthehet në vendlindje te Tirona ku qëndroi edhe për 3 vite, deri më 2011 dhe i fitoi të gjitha trofetë e mundshme : 3 vite kampionate, 3 kupa dhe 3 Superkupa.
Në vitin 2011, Shima nënshkroi për ekipin ”Çapljina Lasta”, ekip kroat që garonte në Superligën e Bosnës dhe aty qëndroi vetëm një sezon për t’u kthyer në Kosovë në vitin 2012, kte herë tek Peja.
Me verdh e zinjtë pejan, së bashku me yjet si Samir Shaptahoviqi e Dardan Berishën ata rikthyen titullin në Karagaq më 2013 kurse publiku pejan ia dha nofkën “çun tirone me zemër pejone”. Shima në Pejë qëndroi deri në vitin 2015 dhe më pas u transferua shkurtazi tek Bashkimi, vetëm gjysmë stinori. Në Janar të 2016-tës , Shima kthehet te Sigal Prishtina ku i kthehet sukseseve me kaltër e bardhët duke u shpall kampion i Kosovës dhe gjithashtu duke e arritur suksesin më të madh ndërkombëtare pasi me prishtinasit shpallet kampion i Ligës Ballkanike.
Pas këtyre sukseseve në Kosovë, Gerti në vitin 2017 rikthehet sërish në Tiranë për ta ndihmuar ekipin e lindjes të shpallet edhe njëherë Kampion i Shqipërisë në sezonin 2016/17 dhe nga ai stinor pavarësisht vështirësive që i kishte ekipi i tij, ai i qëndroi besnik deri më sot. Duhet theksuar se me ekipin e Tironës ai u shpall kampion plot 7 herë ndërsa në përgjithësi për 21 vite karrierë ai fitoi 27 trofe, me 4 ekipe të ndryshme.
Gjithashtu duhet mbajtur në mend se, plot 20 vite, Gerti Shima ishte anëtar standard i Kombëtares Shqiptare.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.