QUADRIPLE-DOUBLE DHE 65 PIKË PËR FITOREN E TREPÇËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollistja amerikane e Trepçës, Ta’sharra Jeffries ka qenë fantastike në fitoren e skuadrës së saj ndaj Kastriotit në xhiron e tretë të elitës femërore.
Trepça e ka mposhtur sot Kastriotin me 100 pikë diferencë apo 131-31.
Ta’sharra Jeffries ka qenë fantastike në këtë fitore të Trepçës me shifra fantastike, quadriple-double prej plotë 65 pikëve, 10 kërcimeve, 10 asisteve, plotë 22 topave të vjedhur.
Sipas statistikave që posedon AsistiOnline.com, nuk ka ndodhur asnjëherë që një lojtare në basketbollin kosovar femëror ti ketë 22 vjedhje topash për një ndeshje e ndoshta ndoshta kjo nuk ka ndodhur as te meshkujt.
Jeffries bëhet vetëm lojtarja e tretë në historinë e basketbollit kosovar femëror që arrin shifra të tilla, gjersa para saj një gjë të tillë e kishin bërë edhe basketbollistet vendore të KBF Prishtinës, Era Shatri e Diellza Dekaj dhe pikërisht kundër Kastriotit të Ferizajit.
Gjatë stinorit 2019/20, Era Shatri e Prishtinës në fitoren ndaj Kastriotit 116-46, kishte realizuar poashtu quadriple-double me 14 pikë, 10 kërcime, 10 asistime dhe 10 vjedhje topash.
Derisa basketbollistja tjetër e Prishtinës, Diellza Dekaj në ndeshjen e stinorit 2020/21 përballë Kastriotit(100-43), për 40 minuta lojë, kishte realizuar plotë 34 pikë, 10 kërcime, 10 asiste e 10 vjedhje topash.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.