Basketboll

VIDEO LAJM: PENZA – PRISHTINA 56:70

SUPERLIGA E FEMRAVE NË BASKETBOLL

(AsistiOnline) Prishtinaset i janë revanshuar Penzës për dy finalet e humbura në Superkupë të Kosovës dhe Superkupë Mbarëkombëtare, duke i mposhtur me rezultat 70:56 në Superligë.

Takimi në “Karagaq u karakterizua me shumë topa të humbur nga të dyja skuadrat, 20 për Penzën e 19 për Prishtinën por që këtë faktor e shfrytëzuan më mirë kryeqytetaset. Vlen të përmendet se në këtë ballafaqim Penza ishin fantastike në kërcimet e fituara në sulm duke kapur 31 nga 54 kërcimet por nuk arritën ta shfrytëzojnë këtë pikë të fortë.

Kampionet në fuqi kishin epërsi vetëm në fillim të ndeshjes kur me shënimet e Whitsittit, Bytyqit dhe Ramojës krijuan avantazh minimal 6:4 (Ç1 – 07:38). Por nga këtu, vashat e Fidan Shatrit, të udhëhequr nga Sarah Mgbike përmbysën gjithçka duke e mbyllur çerekun e parë me 6 pikë avantazh, 15-9.

Epërsia u thellua edhe në çerekun e dytë, kur Mgbike me treshe (Ç2 – 05:28) qoi avantazhin në plus 12 (28:16) por pas time outit të kërkuar nga Bujar Loci, Penza nisi një seri prej 7:0 duke e afruar rezultatin në 23-28 (Ç2 – 03:23). Megjithatë bardh e kaltrat e Prishtinës u mobilzuan mirë dhe duke shfrytëzuar topat e humbur dhe efikasitetin e dobët pas kërcimeve në sulm të Penzës, nga ana tjetër me kundërsulme ndëshkuan rivalet me seri 8:0 për tu shkëputur sërish në plus 13 (38:25).

Penza e pati edhe një moment në çerekun e tretë kur u mundua ti kundërpërgjigjet Prishtinës duke e afruar rezultatin në 6 pikë me shënimin e Bri Uilliams (Ç3 – 03:56) por asnjëherë nuk rrezikoi fitoren e Prishtinës.

Për këtë humbje, trajneri i Penzës, Bujar Loci tha se skuadra e tij nuk shfrytëzoi hapësirat e hapura që të gjuajnë nga distanca dhe se basketbollistet po tregohen të vetë kënaqura.
VIDEO DEKLARATA E TRAJNERIT BUJAR LOCIT NË VIDEO LINKUN MË POSHTË

Nga ana tjetër, Fidan Shatri u shpreh i lumtur për fitore pasi janë të pamposhtur në fazën e parë të kampionatit dhe kjo i lejon Prishtinës të bëhet gati për Ligën Unike.

VIDEO DEKLARATA E TRAJNERIT FIDAN SHATRIT NË VIDEO LINKUN MË POSHTË

Në këtë duel, fantastike ka qenë amerikanja e Prishtinës, Sarah Mgbike me indeksin kozmik prej plus 44. Mgbike e meritoi këtë notë pasi kompletoi double double monstruoz me 28 pikë e 17 kërcime dhe saktësi pothuajse perfekte për dy pikë, duke shënuar 8 nga 9 tentimet.

Asaj përkrahu i qëndroi bashkëkombësja Aisia Robertson me 14 pikë, 3 kërcime e 4 asistime kurse nga vendoret më e mira ishte Arbnore Përquku e cila përpak nuk kompletoi double double dhe ndeshjen e mbylli me 13 pikë e 9 asistime. Veteranja gjithashtu shtoi edhe 6 kërcime e 4 topa të vjedhur.

Te Penza ishin katër lojtare me pikë dyshifrore ndërsa më e dalluara ishte Rael Whitsitt me dyshifrorë të dyfishtë fenomenal prej 16 pikëve e hiq më pak se 22 kërcimeve, nga to 12 në sulm. Lojë të mirë shfaqi edhe Jeta Zeka me 13 pikë, 7 kërcime e 5 asistime kurse kapitenja Valbona Bytyqi luajti me 11 pikë e 6 kërcime. Amerikanja Bri Uilliams që u lëndua gjatë ndeshjes dhe u detyrua të dal jashtë, kontribuoi me 10 pikë, 5 kërcime e 4 asistime.

Pas fazës së parë të Superligës së femrave, Prishtina mbetet e pamposhtur me 5 fitore në vendin e parë dhe ndeshjen e rradhës është mysafire e Kastriotit ndërsa Penza që ka 4 fitore e një humbje pozicionohet e dyta dhe xhiron e rradhës pret Trepçën.

VIDEO LAJMI I NDESHJES PENZA – PRISHTINA

Komentet janë të mbyllura.