VIDEO LAJM: KAMPIONIA AKTUALE ANULON MINUS 20 PËR FITORE SENZACIONALE NË PRISHTINË
SIGAL PRISHTINA – G.E YLLI 70:72 (ARTMOTION SUPERLIGA XHIRO 11)
(ASISTIONLINE) – Golden Eagle Ylli e ka fituar trilerin ndaj Sigal Prishtinës duke e anuluar minusin prej 20 pikëve dhe triumfuar me rezultat të ngushtë 72:70, në Prishtinë
Duhet theksuar se vendasit patën epërsinë gjatë pjesës më të madhe dhe në fillim të çerekut të tretë avantazhi e arriti maksimumin prej plus 20, pas kësaj tresheje të Lejson Zeqirit (53:33). Nga ky çast, gjërat ndryshuan…
Ylli u përgjigj me dy treshe të shpejta të Randolphit e Tmushiqit dhe me seri prej 10-0 duke e përgjysmuar epërsinë e vendasve ndërkohë therandasit e ndërmorën edhe një tjetër seri të stuhishme prej 15:3 duke e afruar rezultatin në vetëm 5 pikë, në fund të çerekut të tretë, 62 me 57.
Në fakt, ishin pasaktësia nga loja dhe shumë topa të humbur në këtë pjesëlojë, ato të cilat ndikuan në shkrirjen e avantazhit të lartë të prishtinasve. Kaltër e bardhët nuk qëlluan asnjë nga 5 tentimet për dyshe dhe realizuan vetëm 4 nga 13 gjuajtjet për tri pikë ndërsa humbën, hiq më pak se 7 topa.
Për më tepër, në çerekët 3 dhe 4 lojtarët e Prishtinës humbën gjithsejtë 13 topa ndërsa efikasitetin e patën katastrofal duke realizuar në total vetëm 22 pikë, 14 në të tretin dhe 8 në të fundit.
Këtë gjë e shfrytëzoi për mrekulli Golden Eagle Ylli i cili, ndonëse pa dyshen e lojtarëve kryesor, Morina – Kastrati arriti ta përmbys disavantazhin prej 20 pikëve dhe kur kishin mbetur edhe 3 minuta e 3 sekonda lojë, pas këtij depërtimi të Randolphit kaloi në epërsi minimale prej 68:67 për ta mos lëshuar deri në fund.
Megjithatë, duhet theksuar finishin dramatik kur fillimisht prishtinasit huqin 2 tentime për dyshe dhe 2 për treshe ndërsa Palokaj u ndëshkua me gabim teknik për shkak të simulimit të faullit pas këtij tentimi për tri pikë kurse në anën tjetër Randolph qëlloi nga gjuajtja e lirë për 67:69.
Ndërkohë, Palokaj humbi edhe një pasim dhe nga ana tjetër Benson u falua për t’i realizuar të dy gjuajtjet e lira dhe ngritur epërsinë në 4 pikë (67:71)
Pas huqjes së janjevës për tri pikë, kur kishin mbetur edhe 13 sekonda lojë, vendasit faulojnë plejmejkerin Brandon Randolph i cili kësaj here i huq të dy gjuajtjet e lira kurse Jan Palokaj me këtë treshe me tabelë ngushton rezultatin në vetëm një pikë epërsi për mysafirë (70: 71) dhe ngrit adrenalinën në maksimum.
Pas rivënies së topit, Randolph ndalet në mënyrë të palejuar dhe pasi qëllon gjuajtjen e parë të lirë, ai e huq të dytën mirëpo këtë dhuratë nuk e shfrytëzuan lojtarët e Prishtinës pasi Janjeva pasoi gabueshëm dhe humbi rastin që, së paku të barazoi rezultatin.
Kështu, kampionët aktual përmbysen minus njëzetëshin dhe në fund triumfuan me rezultat 72:70 për të siguruar fitoren e tetë sivjet.
Koshashënuesi më i mirë i ndeshjes ishte Tmushiqi i cili shfaqi lojë të shkëlqyeshme para grumbullimit me reprezentacion duke shënuar 25 pikë, prej tyre katër treshe dhe në mbrojtje vodhi 3 topa megjithatë lojtari i mbrëmjes ishte qendra Berret beson i cili luajti me double double prej 20 pikëve dhe 11 kërcimeve , duke vjedhur 2 topa dhe mos humbur asnjë të vetëm. Patjetër duhet theksuar se ndaj tij, në kte ndeshje u shkaktuan 9 faulla kurse amerikani tjetër, fundori Brendon Randolph pati 16 pikë dhe dy pesëshe të kërcimeve dhe asistimeve.
Tek Sigal Prishtina katër lojtarë shënuan pikë dyshifrore ndërsa Tomsick ishte më efikasi me 21 sosh, prej tyre 5 trepikësha. Megjithatë, lojtari më i dobshëm tek vendasit ishte kapiteni Muhamedali Janjeva i cili realizoi double double prej 12 pikëve dhe 11 kërcimeve dhe në mbrojtje ishte fantastik me 4 topa të vjedhur dhe 3 bllokada.
Nga 11 pikë i shtuan edhe Palokaj dhe Mitchell, ndërsa duhet theksuar se Jani përveç 11 pikëve bëri edhe 7 asistime por nga ana tjetër humbi 7 topa.
Pas kësaj ndeshje të dyja skuadrat shkojnë në pushim për shkak të ndeshjeve parakualifikuese të Kosovës për Eurobasket 2025 dhe do të rikthehen në Artmotion Superligë me 1 dhe 2 dhjetor kur Ylli pret RC Cola Dritën teksa Sigal Prishtina do të udhëtoj në Rahovec.
VIDEO LAJMI NË LINKUN MË POSHTË
Komentet janë të mbyllura.