Basketboll

PAS HUMBJES NGA NORVEGJIA – MUJO THAÇI: BASKETBOLLI NË LETËR DHE AI NË PARKET KANË DALLIM TË MADH…

Prishtinë(AsistiOnline) – Ditën e djeshme Përfaqësuesja e Kosovës A u mposht nga Kombëtarja e Norvegjisë në parakualifikimet për Eurobasket 2025.

Njëri prej lojtarëve më të mirë në historinë e basketbollit shqiptar, Mujo Thaçi për AsistiOnline.com e ka analizuar këtë humbje të ekipit kosovar, duke dhënë kritika të shumta për lojën e aplikuar dhe ato ishin të drejtuara në veçanti drejt selektorit, Marmarinos i cili sipas Mujës, nuk po i’a ka haberin e drejtimit të ekipit dhe kjo është fare e lehtë të kuptohet.

”Unë s’do ta kisha konsideruar Kosovën favorite ndaj Norvegjisë dhe pse ashtu ishte proklamuar, pasiqë shtetet skandinave viteve të fundit kanë përparuar në sportin e basketbollit. Te Kosova shumë gjëra nuk kanë shkuar: Mos-njohja e lojtarëve, shfrytëzimi në vendet dhe pozitat e gabuara me eksperimente amatoreske, plus natyralizimi i lojtarëve që ne s’kemi nevojë aspak, basketbolli statistikë në letër dhe në parket kanë dallim të madh”, thotë Muja.

Shqiptari nga Ilirida thotë se Kosova duhet që në duelin ndaj Danimarkës ti shfrytëzojë përparësitë që ka për të fituar, porse nuk pret shumë dhe mendon se lavdinë e vetme me ekipin përfaqësues, Kosova deri tani e ka pasur vetëm me selektorin Greenberg.

”Besoj dhe them që Danimarka ka kualitet më të madh se Norvegjia, Kosova duhet të mendojë për lojërat e ardhshme, publiku dhe loja si vendas mund të jenë përparësi dhe motiv plus për të fituar. Nuk do flas për strategji dhe roster, atë tashmë e ka vendosur selektori i cili nuk ka arritur të bëjë asnjë ndryshim. Për fat të keq na ka mbetur të lavdërohemi me kohën e Brad Greenbergut!!”.

Në fund, Muja rikthehet përsëri te selektori ku potencon se ai tashmë duhej të ishte i dorëhequr me vetë faktin se neve na ka mposhtur një Kombëtare e vogël si Luksemburgu të cilën e ka mposhtur edhe Shqipëria dje.

”Etike morale kishte me qenë që qysh pas lojës me Luksemburgun, selektori të jap dorëhqje duke e ditur që tani edhe Shqipëria e ka mposht Luksemburgun. Kosova ka nevojë për trajner që e njeh realitetin, mentalitetin dhe kualitetin e lojtarëve të Kosovës, këtë që po e them ka shumë gjëra që e vërtetojnë e koha do e tregojë”, përfundon mendimin e tij njeriu që dikur dridhte parketet kosovare me paraqitjet e tij në lojë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.