Basketboll

PEJA ARRIN FITOREN E GJASHTË RRADHAZI, MPOSHT PRISHTINËN NË KRYEQYTET

Peja ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet me rezultat 93:101 (18:25, 13:32, 30:20, 32:24), në derbin e javës së 16-të në Art Motion Superligë.
Derbi ishte i jashtëzakonshëm, ku pejanët kishin deri 28 pikë epërsi, kurse prishtinasit në fund e zvogëluan atë në vetëm pesë pikë, kurse atmosfera në kryeqytet ishte e mrekullueshme.
Ndeshjen më mirë e nisi Prishtina, e përkrahur nga tifozët vendas, duke pasur epërsi deri në nëntë pikë, 16:7, por më pas u rikthyen mysafirët, për të fituar çerekun e parë me shifrat 18:25. Periudha e dytë në tërësi u takoi pejanëve, që dominuan në mbrojtje dhe në sulm. Ata rritën epërsinë minutë pas minute, ku më e larta ishte 28 pikë, 29:57, kurse pjesa e parë përfundoi me rezultat 31:57.
Por, Prishtina nuk u dorëzua dhe tentoi rikthimin e madh në pjesën e dytë. Bardhekaltrit ishin më të mirë në periodën e tretë, për të zvogëluar epërsinë deri në vetëm 13 pikë, 61:74, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 61:77. Lojë e jashtëzakonshme u zhvillua në dhjetë minutat dhe atmosfera ishte e ‘zjarrtë’ me tifozët që i kanë munguar basketbollit të Kosovës. Vendasit dhanë maksimumin për të ngushtuar shifrat në 75:85, e më pas edhe 85:90, tre minuta nga fundi. Deri në fund u zhvillua ndeshje dramatike, ndërsa Peja triumfoi me shifrat 93:101.
Te Prishtina u dalluan Wendell Mitchell me 23 pikë e 13 kërcime dhe Kenny Brown me 25 pikë, kurse te Peja u dalluan Stephen Maxwell me 34 pikë e 10 kërcime dhe Tyron White me 32 pikë e 10 asistime.
Tash, Prishtina ka tetë fitore dhe tetë humbje, kurse Peja ka 11 fitore dhe pesë humbje.
/FBK/

Komentet janë të mbyllura.