Basketboll

JAVË ME SHUMË BASKETBOLL, ”KARAGAÇI” MIKPRITËS I EKIPEVE PËR KUPËN E KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Nga nesër e deri të dielën e fundjavës një festival i madh i basketbollit kosovar na pret në palestrën simpatike të Pejës ”Karagaç”.

Në qytetin e Pejës nesër fillon ”Final Eight”-i i Kupës së Kosovës i cili do të luhet për 5 ditë me rradhë dhe në të cilin pritet të shohim ndeshje shumë interesante, sidomos me ekipet nga ArtMotion Superliga e Kosovës te meshkujt.

Përpos basketbollit elitar të meshkujve në këtë ”Final Eight” do të luhet edhe për Kupën e Kosovës tek femrat, por edhe për Kupën e Ligës së parë për meshkujt.

Përndryshe ky edicion i Kupës do të mbahet në veçanti edhe për nder dhe kujtim të tashmë të ndjerit Agim Lluka, i cili kontribuoi shumë për basketbollin pejan dhe kosovar.

Sipas vendimit aktual të Qeverisë në palestër do të lejohen 10% e tifozëve edhe pse FBK ka bërë kërkesë që numri i tifozëve të pranishëm të rritet në 30 %, gjithnjë duke respektuar masat anti Covid, por konfirmimi për një gjë të tillë nga organet shtetërore të vendit ende nuk ka ardhur.

Vlen të ceket se bileta për të gjitha ndeshjet e këtij eventi nga dita e parë deri në fund do të kushtojë 15 euro, ndërsa për një ndeshje kushton 5 euro. Sa ju përket tifozëve udhëtues të klubeve, bileta do të kushtojë 3 euro. Vlen të ceket se çdo person që dëshiron biletë duhet të tregojë dëshminë e vaksinimit dhe me emër do të vendoset në ulëse.

Asnjë person i pavaksinuar nuk do të lejohet në palestër, kurse për të gjithë është e obliguar vendosja e maskave.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.