Basketboll

PEJA MPOSHT PRISHTINËN, KUALIFIKOHET NË GJYSMËFINALE

Peja ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 91:86 (23:17, 25:18, 18:20, 25:31), duke u kualifikuar në gjysmëfinale të Final 8 Kupës së Kosovës në basketboll.

Ndeshjen më mirë e filluan vendasit, me një seri prej 6:1 dhe gjatë çerekut të parë ishin në epërsi konstante, duke e fituar këtë pjesë 23:17, ndërsa ishin të përkrahur maksimalisht edhe nga tifozët vendas, që krijuan atmosferë të jashtëzakonshme, që i ka munguar në dy vitet e fundit basketbollit kosovar. Vendasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke e thelluar edhe më shumë epërsinë, që shkoi deri në 18 pikë, 46:28, ndërsa pjesa e parë përfundoi me shifrat 48:35.

Në mes pjesëve i janë dhënë çmimet MVP nga tifozët për Valbona Bytyqin, që e ka ndarë Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe për Dardan Berishën, çmim që ia ndau Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Në periodën e tretë u zhvillua lojë më e barabartë, madje prishtinasit e filluan furishëm, duke afruar shifrat në 59:55, por pejanët sërish shkëputen, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 66:55. Verdhezinjtë sërish e nisën më mirë periodën e fundit, për tu shkëputur në 73:60, megjithatë bardhekaltrit nuk dorëzohen dhe afrojnë shifrat në 75:73, duke e bërë sfidën shumë interesante, por në çastet vendimtare, Peja ishte më e vëmendshme, duke triumfuar 91:86.

Te Peja u dalluan Dardan Berisha me 34 pikë e gjashtë kërcime dhe Edgar Garibay me 20 pikë e tetë kërcime, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Lejson Zeqiri dhe Kenny Brown me 20 pikë.

Peja në gjysmëfinale do të përballet me Trepçën, takim që zhvillohet të premten.

/FBK/

Komentet janë të mbyllura.