Basketboll

FBK VENDOS PËR MOS-LEJIMIN E TIFOZËRIVE TË ORGANIZUARA NË ”FINAL 8”

Prishtinë(AsistiOnline) – Pas incidenti të mbrëmshëm në hapjen e ”Final Eight”-it të Kupës së Kosovës ku u sulmua ekipi i Prishtinës në hyrje të palestrës ”Karagaç”, FBK-ja ka marrë një vendim.

AsistiOnline.com ju sjell vendimin e plotë dhe pa ndërhyrje të FBK-së:

Pas vlerësimit të situatës së krijuar gjatë ndeshjeve të datës 09.02.2022, dhe konsultimit me autoritetet kompetente, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë vendim që ndeshjet gjysmëfinale dhe ato finale të Final 8 Kupës së Kosovës që është duke u organizuar në Pejë të mos lejohet pjesëmarrja e tifozerive të organizuara. FBK ka qenë e detyruar ta marrë këtë vendim pasi në ndeshjet e para çerekfinale tifozët e organizuar nuk i kanë respektuar masat në fuqi të Qeverisë së Republikës së Kosovës për anti-Covid19, e që janë mbajtja e maskës dhe distanca fizike edhe pas tërheqjes së vërejtjes nga personat përgjegjës të angazhuar për siguri dhe Policisë së Kosovës.
Duke qenë se grupet e tifozëve të pranishme në palestrën “Karagaçi” nuk iu bindën urdhrave për bartje të maskës dhe sigurim të distancës fizike, duke pamundësuar kësisoj respektimin e masave nga organizatori dhe Federata, në palestër prej ndeshjeve gjysmëfinale e deri te ato finalet në të dyja konkurrencat do të lejohen vetëm shikuesit e vaksinuar që nuk vijnë në mënyrë të organizuar dhe që zotohen të respektojnë masat në fuqi për anti-Covid19.
Federata e Basketbollit e Kosovës, organizatori i Final 8 Kupës së Kosovës, KB Peja dhe organet e rendit do të bëjnë më të mirën për organizim të mirëfilltë të këtij eventi, andaj shikuesit të cilët nuk i respektojnë masat në fuqi anti-Covid19 (bartja e maskës dhe distanca fizike) pas vërejtjes së parë do të largohen nga palestra.
Federata e Basketbollit e Kosovës dhe KB Peja ftojnë të gjithë dashamirët e basketbollit që të shijojnë spektaklin e basketbollit në Pejë duke iu përmbajtur rregullave dhe masave të sigurisë, duke dhënë kësisoj shembull të mirë dhe krijuar precedent pozitiv për kërkesat tona për hapje të mëtejme të palestrave për tifozë.
Ky Vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij.

Me respekt,

Faton Kurshumlija
Komesar i Garave

Federata e Basketbollit e Kosovës

Komentet janë të mbyllura.