Basketboll

YLLI FITON EDHE NË MITROVICË, NJË FITORE LARG MBROJTJES SË TITULLIT

Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli është fare pranë mbrojtjes së titullit të kampionit në ArtMotion Superligën e Kosovës.

Therandasit kanë fituar edhe duelin e dytë të serisë finale ndaj Trepçës në ”Minatori” me rezultatin e përgjithshëm 46-60.

Ishte kjo prej ndeshjeve më të dobëta në histori të klubit mitrovicas dhe Ylli e shfrytëzoi maksimalisht këtë duke fituar dy periodat e para (6-22, 12-17), për të shkuar në pushimin mes pjesëve me 19 pikë diferencë (18-39).

Në pjesën e dytë u tentua rikthimi i vendasve, me çerekun e tretë që ju takoi 15-11, por që epërsia vetëm se u zbut pak (33-50), Trepça fitoi edhe çerekun e fundit ngushtë (13-10), por që ishte larg rikthimit, sepse ndikoi shumë deficiti nga pjesa e parë e Ylli me meritë korri fitore.

Tre basketbollistë realizuan pikë dyshifrore tek therandasit sonte, Henrik Shirko 13, Mikaile Tmusiq 12 dhe Dajuan Graf që shtoi 11 sosh.

Te Trepça që sonte nuk ndezi asgjë, Andrew Gordon kishte 15 pikë e 9 kërcime, derisa 10 pikë e 6 kërcime shtoi qendra tjetër, Mike Edwards.

Ylli tash e ka avantazhin prej 2-0 me fitore në serinë finale ndaj Trepçës dhe me triumf eventual të dielën nga ora 17:00 në ”13 Qershori”, shpallet kampion i Kosovës për stinorin 2021/22.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.